eksperti ad

Pas katër muajsh të suspenduar nga puna, Halil Brahaj, drejtori i Shkollës “Pavarësia” dhe Abaz Kadriu, mësimdhënës në këtë shkollë, do të kthehen në punë më 01.07.2026.

Ky është vendim i Komisionit Disiplinor të Komunës së Prishtinës, derisa ndaj të dyve ka aktakuzë të ngritur më 26.02.2026 për kryerjen e veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.


Aktakuza ka të bëjë me rastin e dhunës fizike ndaj një nxënësi që ndodhi më 09.02.2026 në ambientet e shkollës, për të cilin rast KALLXO.com raportoi ekskluzivisht.

Gjykata e Prishtinës ka thënë se lëndën për Brahajn dhe Kadriun e kanë pranuar më 3 mars 2026 dhe duke qenë lëndë e re ende nuk është caktuar seanca fillestare. Sipas saj, seanca pritet të caktohet në muajt në vijim.

Fahrie Maxharraj, zëvendësdrejtoresha e Shkollës “Pavarësia” e ka konfirmuar vendimin e Komisionit Disiplinor të Komunës dhe sipas saj, ndaj Brahajt e Kadriut ka ndalim të avancimit në pozitë për 3 vjet.

Vendimin e ka konfirmuar edhe Arianit Elshani, drejtor i Arsimit në Prishtinë. Kurse, deri më tani KALLXO.com e ka siguruar vendimin e Komisionit vetëm për Brahajn, në të cilin është konstatuar se ai kishte ndërmarrë veprime fizike ndaj nxënësit.

Sipas vendimit, Komisioni ka konsideruar se masa e ndalimit të avancimit në pozitë është proporcionale, e drejtë dhe e mjaftueshme për arritjen e qëllimit disiplinor.

“Nga provat e administruara në procedurë është vërtetuar se veprimet e tij kanë qenë në kundërshtim me standardet profesionale dhe etike që obligojnë personelin arsimor, veçanërisht drejtuesit e institucioneve arsimore, për të garantuar sigurinë, integritetin fizik dhe dinjitetin e nxënësve.” – thuhet për Brahajn në vendimin e Komisionit Disiplinor të datës 09.06.2026.

Arianit Elshani që e ka marr detyrën e drejtorit të Arsimit në maj 2026, tha se do ta pyes Këshillin Drejtues të Shkollës në lidhje me vendimin për Brahajn dhe Kadriun. Ndërsa, para dy ditësh tha se ka vendosur për themelimin e Komisionit Disiplinor të Drejtorisë së Arsimit për trajtimin e rasteve të tilla dhe të tjera.

“Unë do të jem aty prezent që të shoh atë se çka mendon Këshilli Drejtues, pra ku janë të përfshirë prindërit, ku janë të përfshirë nxënësit dhe ku janë të përfshirë mësimdhënësit për të marrë një vendim të duhur për të gjithë. Pra, pa e cenuar asnjëherë interesin e nxënësve, interesin e prindërve, por në anën tjetër edhë duke e rujt dinjitetin e mësimdhënësve” – ka thënë Elshani.

Kur u pyet në rast se do të marrë mendim negativ nga Këshilli Drejtues i Shkollës “Pavarësia” për kthimin e Brahajt dhe Kadriut në punë, Elshani u përgjigj “Po largohen. Vetëm e shikon bazën ligjore, është kërkesë edhe e largon, e zëvendësin njerin. Pse a kam borxhe une diçka ndaj ndokujt apo?”.

Sa i përket pamjeve që KALLXO.com i publikoi në shkurt 2026 e në të cilat u pa Kadriu teksa e godet nxënësin dhe nxënësi që i kundërpërgjigjet, si dhe në pamjen ku Brahaj u pa se e godet shuplakë të njëjtin nxënës, Elshani tha se i ka parë dhe sipas tij është “shumë e dhimbshme që e shohim një gjendje të tillë në shkolla tona, anë e mbanë”.

“E dhimbshme, e turpshme në raport me sjelljet edhe të mësimdhënësve, të stafeve drejtuese, por në anën tjetër edhe sjelljet të nxënësve… Nuk e di, është vështirë sot edhe për mu me ba cilësime, vështirë me ba vlerësim në raport me të”.

Aktakuza e Prokurorisë

KALLXO.com ka siguruar aktakuzën e ngritur ndaj Abaz Kadriut dhe Halil Brahajt. Në aktakuzë, Prokuroria pretendon se Abaz Kadriu më 09.02.2026, rreth orës 11:41, në Shkollën “Pavarësia” në Prishtinë, duke e keqpërdorur detyrën zyrtare e ka keqtrajtuar fizikisht nxënësin.

Prokuroria thotë se pasi kishte filluar një fjalosje në mes tyre lidhur me sjelljen e nxënësve në shkollë, fillimisht nxënësi e ka ofenduar dhe sharë arsimtarin dhe ai është munduar që ta këshilloj, e kur situata ka eskaluar në sharje banale ndaj tij, pasi që ishin futur në sallën e arsimtarëve, arsimtari e ka goditur nxënësin në fytyrë, derisa ai ishte i ulur në bankën e shkollës e në këto momente edhe nxënësi e ka shtyrë me këmbë, ku arsimtari pastaj e ka goditur me forcë disa herë me shpullë në fytyrë.

Kurse për Halil Brahajn, Prokuroria thotë se më 09.02.2026, rreth orës 11:30, në Shkollën “Pavarësia” duke e keqpërdorur detyrën zyrtare e ka keqtrajtuar fizikisht nxënësin, në atë mënyrë që pasi kishte filluar një fjalosje në mes tyre lidhur me sjelljen në shkollë, fillimisht nxënësi e ka ofenduar dhe sharë drejtorin dhe ai është munduar që ta këshilloj.

Sipas Prokurorisë, kur situata ka eskaluar në sharje banale ndaj tij, derisa ishin duke zbritur shkallët në njërin prej korridoreve të shkollës, drejtori e godet me një shpullë nxënësin në fytyrë.

Me këtë rast, sipas aktakuzës, mësimdhënësi Abaz Kadriu, në mbrojtjen e tij e ka pranuar kryerjen e veprës penale dhe ka deklaruar se i vjen shumë keq për këtë që ka ndodhur.

“[Kadriu] Ka shtuar se ka qenë shumë i provokuar nga nxënësi i cili e kishte sharë dhe ofenduar në mënyrën më banale dhe gjeste të papranueshme për të si arsimtar. Qëllimi i tij ka qenë i mirë dhe përkundër që nuk ka qenë arsimtar dhe as përgjegjës në aspektin e mbikëqyrjes në shkollë ai vetëm kishte dashur që të ndihmonte drejtorin dhe shkollën”- thuhet në aktakuzë.

Kurse, Halil Brahaj, sipas aktakuzës, në mbrojtjen e tij, pjesërisht e ka pranuar kryerjen e veprës penale dhe ka deklaruar se kishte qenë i provokuar në mënyrën më brutale nga ana e nxënësit i cili kishte pasur vazhdimisht sjellje të këqija në shkollë.“[Brahaj] Deklaron e ka goditur nxënësin për shkak të presionit dhe fjalëve banale dhe kërcënuese që i ishin bërë ndaj tij dhe pendohet për veprimin e bërë” – thuhet në aktakuzë për Brahajn.