Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka kritikuar pjesëmarrjen e ulët të qytetarëve në dëgjimin publik për buxhetin e Komunës së Prishtinës në fushën e arsimit.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se në këtë dëgjim kanë marrë pjesë vetëm shtatë qytetarë, ndërsa ka pretenduar se dy prej tyre kanë qenë asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje.


"7 QYTETARË. VETËM 7. Ky është 'interesimi' për dëgjimin publik për buxhetin e Prishtinës në fushën e arsimit. Nga 7 qytetarët e pranishëm, 2 janë asamblistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!", ka shkruar Sveçla.

Ai ka kritikuar mungesën e përfaqësuesve të ekzekutivit komunal në këtë takim, duke thënë se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dhe nënkryetarët nuk kanë marrë pjesë.

"As Kryetari. As dy nënkryetarët. Vetëm 2 drejtorë, nga mbi 20 sa ka Komuna e Prishtinës", ka deklaruar ai.

Sveçla ka akuzuar drejtuesit e Komunës së Prishtinës se kanë humbur besimin e qytetarëve, duke e lidhur këtë me pjesëmarrjen e ulët në dëgjimet publike.

"Përparim Rama dhe Uran Ismaili, P’LDK-ja dhe PDK-ja, i kanë lënë qytetarët në lloç. Qytetarët e dinë këtë. Nuk presin më asgjë prej tyre. Prandaj nuk kanë më kërkesa. Prandaj nuk vijnë më as në dëgjime publike", ka shkruar ai.

Sipas asamblistit të LVV-së, mungesa e pjesëmarrjes e ka kthyer procesin e konsultimeve publike në një formalitet.

"Kur humbet besimi i qytetarëve, dëgjimet publike mbeten vetëm një formalitet. Sot, kjo u dëshmua qartë", ka përfunduar Sveçla. /Telegrafi/