eksperti-banner

Partia Demokratike Evropiane, pjesë e grupimit Renew Europe, ka reaguar ashpër ndaj hetimeve të autoriteteve serbe për incidentin e pretenduar me “armë akustike” gjatë protestës masive në Beograd, më 15 mars 2025.

Në reagimin e saj, kjo parti politike evropiane e qendrës e ka cilësuar skandaloz faktin që prokurorët serbë kanë hapur hetim duke pretenduar se studentët kishin planifikuar të simulonin përdorimin e një arme sonike gjatë protestës.


“Është skandaloze: në vend që të identifikojnë se kush e urdhëroi dhe e përdori këtë armë akustike të ndaluar, autoritetet tani po synojnë viktimat e saj”, thuhet në reagim.

Demokratët Evropianë theksojnë se videot dhe dëshmitë e qytetarëve tregojnë se gjatë homazhit të heshtur pati panik të papritur, ndërsa shumë pjesëmarrës raportuan të përziera, marramendje dhe dhimbje koke.

Sipas tyre, përgjegjësia politike dhe morale bie mbi presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe institucionet që, siç thonë ata, po përpiqen ta mbulojnë rastin.

“Armën nuk e solli askush nga qielli. Dikush e përdori dhe dikush po e mbulon. Vuçiçi dhe përgjegjësit mbajnë një përgjegjësi të rëndë politike dhe morale”, thuhet më tej.

Në reagim përmendet edhe mungesa e përgjegjësisë për shembjen e strehës së betonit në Novi Sad, duke u vlerësuar se hetimi ndaj viktimave të incidentit me “topin zanor” tregon gjendjen e rëndë të institucioneve në Serbi.

“Serbia meriton të vërtetën dhe drejtësinë, jo frikësimin”, përfundon reagimi i Demokratëve Evropianë.