Kosova shpall “non grata” ministren serbe pas deklaratës fashiste: Epoka e spastrimit etnik ka përfunduar


Kosova e ka shpallur “persona non grata” ministren e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezhana Paunoviq, duke i ndaluar në mënyrë të përhershme hyrjen dhe kalimin tranzit në territorin e Republikës së Kosovës.
Vendimi është marrë pasi Paunoviq deklaroi se, “po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta spastronte etnikisht Kosovën në vitin 1998”.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se deklarata e ministres serbe përbën vazhdimësi të një politike shtetërore që, sipas tij, për dekada ka prodhuar dhunë, krime dhe përpjekje për zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e tyre.
Në një njoftim të publikuar në Facebook, Sveçla bëri të ditur se ka nënshkruar vendimin për shpalljen e Paunoviqit si person i padëshirueshëm.
“Si Ministër i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, sot kam nxjerrë vendim përmes së cilit Snezhana Paunović e kam shpallur persona non grata, të padëshirueshme, me ndalim të përhershëm të hyrjes në apo kalimit tranzit përmes Republikës së Kosovës. Epoka kur shqiptarët shtypeshin, masakroheshin dhe spastroheshin etnikisht ka përfunduar njëherë e përgjithmonë”, ka shkruar Sveçla.
Ai theksoi se gjuha e përdorur nga ministrja serbe duhet të dënohet nga të gjitha shtetet, duke e cilësuar atë si të papranueshme dhe nxitëse të urrejtjes.
Sipas Sveçlës, çdo përpjekje për të ringjallur ideologjitë e spastrimit etnik apo për të kërcënuar Republikën e Kosovës do të përballet me “përgjigje të vendosur, ligjore dhe institucionale”.
Vendimi nënkupton se Paunoviq nuk do të lejohet të hyjë apo të kalojë transit në territorin e Kosovës./Telegrafi/




































