"170 mijë euro për luftën me kancerin", Visar Korenica falënderon të gjithë ata që e mbështetën Urtinën


Ndihmo edhe ti duke klikuar KËTU.
Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, ka ndarë një mesazh falënderimi dhe shprese për të gjithë ata që kanë mbështetur vajzën e tij, Urtinën, në betejën e saj të gjatë me sëmundjen e rëndë.
Përmes një reagimi publik, Korenica ka treguar se beteja e Urtinës me kancerin ka hyrë në vitin e katërt dhe se gjatë kësaj periudhe ajo është detyruar të përballet katër herë me këtë sëmundje.
"Ka beteja që nuk zgjidhen brenda një dite, një muaji apo një viti. Beteja e Urtinës ka hyrë në vitin e katërt. Brenda këtyre katër viteve, ajo është detyruar të përballet plot katër herë me kancerin. Katër herë është rrëzuar dhe katër herë është ngritur për të vazhduar luftën për jetën", ka shkruar Korenica.
Ai ka shprehur mirënjohje për Ministrinë e Shëndetësisë për mbështetjen e dhënë në fazën e parë të trajtimit, kur Urtinës iu mundësua trajtimi në Turqi, pasi terapia e nevojshme nuk ofrohej në Kosovë.
Korenica ka falënderuar gjithashtu shtetin e Francës, i cili sipas tij ka mundësuar trajtimin e Urtinës deri në këtë fazë, si dhe të gjithë qytetarët që kanë kontribuar me lutje, mbështetje morale dhe ndihmë financiare.
"Në momentet më të vështira, ju i dhatë familjes sonë forcë për të mos u dorëzuar", ka shkruar ai.
Ish-deputeti ka sqaruar edhe për fondin e krijuar për trajtimin e Urtinës, duke thënë se kjo nismë ka ardhur nga rrethi familjar dhe miqësor, me qëllimin për t'i siguruar asaj çdo mundësi për të vazhduar trajtimin.
Sipas Korenicës, një terapi e re me vlerë rreth 30 mijë euro pritet të arrijë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar atë si një mundësi të re shprese për Urtinën.
Megjithatë, ai ka bërë të ditur se pas përfundimit të kësaj faze të trajtimit, Urtinën e pret një tjetër terapi, kostoja e së cilës kalon 120 mijë euro.
"Kjo nuk është vetëm beteja jonë. Është një betejë që na ka bashkuar të gjithëve rreth një shprese, që Urtina ta fitojë jetën", ka shkruar Korenica.
Ai ka falënderuar të gjithë qytetarët për solidaritetin e treguar dhe ka kërkuar vazhdimin e lutjeve dhe mbështetjes për Urtinën.
"Besojmë se me ndihmën e Zotit, me dashurinë e njerëzve dhe me forcën e saj të jashtëzakonshme, kjo betejë do të ketë fundin që të gjithë e dëshirojmë", ka përfunduar ai.
Për Urtinën është hapur edhe një gofundme, për ta mbështetur financiarisht në betejën e rëndë.




































