Deklaratë e fortë nga Yamal: Spanja do ta ngrejë trofeun e Botërorit


Lamine Yamal ka deklaruar se Spanja vazhdon të jetë një nga pretendentët kryesorë për ta fituar Kupën e Botës 2026, duke theksuar se në çdo turne hyn me bindjen se do ta ngrejë trofeun.
Duke folur para ndeshjes së fazës së 1/16-ës së finales ndaj Austrisë, sulmuesi i Barcelonës konfirmoi gjithashtu se është plotësisht i gatshëm të luajë 90 minuta.
“Ndjeva një lumturi të jashtëzakonshme. Nuk kisha përjetuar kurrë më parë një ndjenjë të tillë. Kupa e Botës është diçka krejtësisht ndryshe”, tha Lamine, duke kujtuar rikthimin e tij nga lëndimi dhe golin e shënuar ndaj Arabisë Saudite.

“Kur hyj në një turne, gjithmonë mendoj se do ta fitoj. Prandaj besoj se këtë vit do ta fitojmë Kupën e Botës”, u shpreh ai me besim.
18-vjeçari pranoi se Spanja mund të luajë edhe më mirë pas paraqitjeve jo plotësisht bindëse në fazën e grupeve, por insistoi se skuadra ka shumë më tepër potencial sesa ka treguar deri tani.
“Ne jemi shumë më të mirë sesa ajo që kemi treguar. Në këtë fazë të turneut, gjëja më e rëndësishme është të fitojmë”, përfundoi Yamal./Telegrafi/














































