Pas më shumë se dy dekadash në qendër të vëmendjes, David Beckham do të marrë një nder të madh - një yll në Hollywood Walk of Fame.

Ish-futbollisti do të marrë yllin e tij javën e ardhshme, dhe bashkëshortja e tij Victoria Beckham do të ketë një rol të veçantë në ceremoni, shkruan Hello!.


Beckhamit, do t'i dhurohet një yll në një ceremoni në Hollywood Boulevard më 12 qershor.

Gruaja e tij Victoria, një ish-anëtare e Spice Girl dhe stiliste mode, e cila ende nuk ka yllin e saj në Walk of Fame, do të jetë një nga folëset e ftuara. Ajo do të shoqërohet nga ylli i Hollywood-it dhe miku i familjes prej kohësh, Tom Cruise.

"Njohja e yllit të David Beckham në Walk of Fame të Sporteve dhe Argëtimit vjen në një kohë të përshtatshme, ndërsa Shtetet e Bashkuara përgatiten të presin Kupën e Botës FIFA", tha Ana Martinez, producente e Walk of Fame.

"Roli i Beckham në popullarizimin e futbollit në Shtetet e Bashkuara dhe ndikimi i tij i qëndrueshëm në sport, industrinë e argëtimit dhe kulturën popullore e bëjnë këtë nder veçanërisht të rëndësishëm".

Ylli i Davidit do të jetë i 2,849-ti në Hollywood Walk of Fame. Ai do t'u bashkohet atletëve si Muhammad Ali dhe Billie Jean King, të cilët janë nderuar në kategorinë e argëtimit sportiv. Për të marrë një yll, dikush duhet së pari të nominohet në njërën nga kategoritë që përfshijnë filmin, televizionin, muzikën, radion, teatrin live dhe argëtimin sportiv.