Ndërron jetë DJ dhe muzikanti francez, Kavinsky

DJ dhe muzikanti francez, Kavinsky, emri i vërtetë i të cilit ishte Vincent Belorgey, është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij në Paris.
Artisti, i cili ishte 50 vjeç, ishte bërë pjesë e skenës ndërkombëtare të muzikës dhe së fundmi kishte performuar edhe në ceremoninë e mbylljes së Lojërave Olimpike në Paris.
Prokuroria e Parisit ka bërë të ditur se ka nisur një hetim për të përcaktuar shkaqet e vdekjes, pasi autoritetet që mbërritën në vendngjarje nuk kanë gjetur elemente të dyshimta.

Kavinsky u bë i famshëm në mbarë botën me këngën “Nightcall”, të publikuar në vitin 2010, e cila mori famë të madhe pasi u përfshi në filmin “Drive” me aktorin Ryan Gosling.
Kënga u prodhua nga Guy-Manuel de Homem-Christo nga grupi legjendar Daft Punk.
Gjatë karrierës së tij, Kavinsky publikoi dy albume “OutRun” (2013) dhe “Reborn” (2022), ndërsa muzika e tij u ndikua nga videolojërat e viteve ’80, serialet policore si “Miami Vice” dhe filmat e regjisorit italian Dario Argento.
Artisti kishte gjithashtu një lidhje të ngushtë me regjisorin dhe muzikantin Quentin Dupieux, me të cilin bashkëpunoi në projekte të ndryshme.
- YouTube www.youtube.com
Përveç muzikës, ai u shfaq edhe në një rol të shkurtër në serialin francez të Netflix, “Banger”.
Me stilin e tij unik dhe tingujt retro-elektronikë, Kavinsky la një gjurmë të rëndësishme në muzikën elektronike ndërkombëtare. /Telegrafi/
















































