Dy sheshe në qendër të qytetit do të mbyllen për tre ditë, për dasmën madhështore të Dua Lipës dhe Callum Turner.

Siç raporton The Sun, qindra banorëve iu është kërkuar të nënshkruajnë marrëveshje konfidencialiteti (NDA) për të mos lejuar publikimin e fotografive apo videove në rrjetet sociale.


Sipas burimeve, NDA-të janë shpërndarë nga ekipi i organizatores, Alessandra Grillo.

Ndërkohë, policia dhe forcat e sigurisë kanë deklaruar se po marrin masa të mëdha për të siguruar zhvillimin e qetë dhe të sigurt të festimeve, duke mbyllur rrugë dhe sheshe kryesore rreth Piazza Santa Anna dhe Piazza Croce dei Vespri në Palermo të Sicilisë, nga e enjtja deri të shtunën.

Autoritetet kanë publikuar një njoftim të paqartë ku thuhet se do të ketë një “demonstrim/organizim në shesh”, pa konfirmuar se bëhet fjalë për dasmën.

Banorëve që jetojnë në atë zonë u është kërkuar të deklarojnë sa persona pritet të qëndrojnë në shtëpitë e tyre gjatë kësaj periudhe.

Një burim tha: “Është gjithçka shumë e kufizuar.”

“Është top sekret”.

“Siguria është private, por policia lokale është e përfshirë në organizimin e eventit.”

“Sheshet që do të mbyllen tashmë janë zona këmbësorësh pa trafik”.

“Autoritetet kanë shpikur këtë ‘demonstrim në shesh’ në Piazza Sant’Anna dhe Piazza dei Vespri si justifikim për të vendosur barriera dhe për të mbajtur këmbësorët jashtë”.

Megjithatë, kryetari i Bashkisë së Bagherias ka konfirmuar se masa të ngjashme sigurie për të shtunën lidhen me këtë event.

Mendohet se një pjesë e kostove po mbulohet nga taksapaguesit italianë, ndërsa policia shtetërore po bashkëpunon me sigurinë private për të monitoruar festimet disa-ditore.

Të premten, të ftuarit do të nisin me pije në Palazzo Gangi, një nga ndërtesat më të famshme të Siçilisë, e përdorur edhe në skenën e famshme të vallëzimit në filmin “The Leopard”.

Thuhet se më vonë Sir Elton John mund të performojë në Galleria d’Arte Moderna.

Dua, Callum dhe të ftuarit e tyre do të qëndrojnë në hotelin Igiea, me çmim rreth 1,000 euro nata.

Më pas festa do të zhvendoset rreth 12 milje në lindje të Palermos, në Bagheria, të shtunën.

Ceremonia kryesore pritet të mbahet në Villa Valguarnera, një pronë baroke dhe një nga monumentet më të rëndësishme historike në Itali.

Villa Valguarnera është përdorur gjithashtu në hyrjen e serialit të HBO “The White Lotus”.

Kufizimet e trafikut janë në fuqi në Bagheria nga 1 deri më 8 qershor, sipas mediave lokale.

Banorët e Palermos janë të ndarë për shkak të pengesave në zonë.

Punonjësja e një bari, Milena Esedra, tha: “Jam e lumtur që ajo ka zgjedhur Palermon për të festuar martesën e saj.”

“Më pëlqen muzika e saj dhe ajo vetë, kështu që jam e kënaqur.”

Ndërsa një banor tjetër tha: “Shpresoj që për hir të banorëve të Palermos, fondet publike të qytetit të kenë përfitim.”

“Kush e di nëse ajo do t’i bëjë qytetit një dhuratë në këmbim.”

“Ndoshta një koncert falas në plazh?”