LAJMI I FUNDIT:

Contour Global i kërkon qeverisë 20 milionë euro, Oda Amerikane: Dëmi më i rëndë do të jetë prishja e imazhit të vendit në sytë e investitorëve të huaj

Contour Global i kërkon qeverisë 20 milionë euro, Oda Amerikane: Dëmi më i rëndë do të jetë prishja e imazhit të vendit në sytë e investitorëve të huaj

Kompania amerikane Contour Global në muajin mars të këtij viti kishte ndërprerë planet për ndërtimin e termocentralit 500 megavatësh “Kosova e Re”.

Sipas planifikimeve, ky termocentral do të prodhonte rrymë për të mbuluar gjysmën e kërkesës për energji elektrike në Kosovë, vend ky që tani më përballet me mungesë të dukshme të energjisë.


“Ne nuk do të ndërtojmë ose përvetësojmë termocentrale nga qymyri në të ardhmen. Si rezultat i gjendjes politike në Kosovë… për projektin është e pamundur të arrijë rezultate para datës së përfundimit të projektit”, kishte thënë Contour Global, shkruan Telegrafi.

Lidhur më këtë, kompania i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës 20 milionë euro si kompensim për shpenzimet e projektit përmes një letre të 24 majit, në të cilën në të njëjtën kohë e ka lajmëruar për shkëputjen e kontratës.

Sipas, Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike kjo kërkesë nga Controur Global është e paarsyeshme.

“Jemi të befasuar dhe të zhgënjyer që Contour Global ka zgjedhur të njoftojë se synon shkëputjen e marrëveshjeve me qeverinë dhe të parashtrojë kërkesën e pathemeltë dhe të padrejtë për kinse 20.053.125,63 euro shpenzime të zhvillimit të projektit. Para se drejtuesit e Contour Globalit të përgatisin letrën, ministrja Hajdari i ka ftuar ata në një telekonferencë për të diskutuar çështjet e projektit të termocentralit ‘Kosova e Re’. Në vend të përgjigjes ndaj ftesës sonë, Contour Global ka dërguar letrën për të njoftuar se synon shkëputjen e kontratave dhe për të kërkuar pagesën”, thuhet në njoftimin e MEPTINIS-së.

“Contour Global” ia kërkon 20 milionë euro Qeverisë, Ministria e Ekonomisë e quan të pathemeltë këtë kërkesë
Lexo po ashtu “Contour Global” ia kërkon 20 milionë euro Qeverisë, Ministria e Ekonomisë e quan të pathemeltë këtë kërkesë

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka për Telegrafin ka thënë se, përveç dëmeve financiare do të ketë prishje të imazhit të vendit karshi investitorëve të huaj.

“Veprimet e mëtejme pas tërheqjes së investitorit do të duheshin bazuar në dispozitat e marrëveshjes preliminare dhe termat e referencës së projektit. Përtej dëmeve të mundshme financiare, dëmet më të rënda do të jenë në aspekt të imazhit të vendit në sytë e investitorëve të huaj, por edhe në moszgjidhjen e kërkesës për furnizimin stabil me energji elektrike në Kosovë”, tha Zeka.

Ai shton se, vonesat e në përmbylljen e marrëveshjes dhe diskursi i luhatshëm politik kanë ndikuar në rritjen e pasigurisë së projektit.

“Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë e ka vlerësuar si tejet të rëndësishëm finalizimin e marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’ me kompaninë amerikane Contour Global”. Kjo për shkak të ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike dhe rrjedhimisht përmirësimit të sigurisë së furnizimit me energji elektrike, për të reduktuar varësinë nga importi, por edhe për të reduktuar ndotjen në mjedis nga vazhdimi i operimit të termocentraleve aktuale me teknologji të vjetruar. Të gjitha qeveritë në Kosovë përgjatë viteve të fundit nuk kanë arritur të kuptojnë rëndësinë e të vepruarit të shpejtë në përputhje me pritshmëritë e investitorit. Vonesat në përmbylljen e marrëveshjes si dhe diskursi i luhatshëm politik për vazhdimin ose jo të projektit të termocentralit të ri, kanë ndikuar pashmangshëm në rritjen e pasigurisë së përgjithshme rreth projektit dhe skepticizmin e investitorit të përzgjedhur”, tha për Telegrafin, Zeka.

Marrëveshja për ndërtimin e termocentralit të ri parashikonte një investim prej 1.3 miliard eurosh.

Termocentrali “Kosova e Re”, pritej të zëvendësonte njësitë shumë të vjetra prodhuese në Korporatës Energjetike të Kosovës. /Telegrafi/