Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se nëse shkojmë në zgjedhje të reja, buxheti i shtetit do t’i humb së paku dhjetë milionë euro.

Këtë deklaratë ai e dha pas përurimit të renovimeve në Klinikën e Kardiologjisë.


Sipas tij LDK dhe PDK nuk po janë të gatshëm dhe të interesuar për marrëveshje.

“Nëse shkojmë në zgjedhje të reja së paku 10 milionë euro ato kushtojnë për organizimin e tyre nga KQZ-ja, nëse shkojmë në zgjedhje të reja për shkak se nuk do të funksionojë Kuvendi i Republikës do t’i humbim dhjetëra milionë euro si shtet dhe nëse shkojmë në zgjedhje të reja nuk do të kemi zgjidhje meqenëse sërish do të na duhet të shkojmë në zgjedhje të reja, e pas atyre sërish do të na duhet të shkojmë në zgjedhje të reja, meqenëse nuk e di se si mund t’i kemi 80 deputetë. Prandaj është e domosdoshme që të merremi vesh", tha ai.

Tutje Kurti tha se është treguar shumë bujar me partitë opozitare.

"Vetëm 30 orë para skadimit të afatit në mesnatën e 5 dhe 6 marsit e kemi propozuar emrin e Glauk Konjufcës dhe vetëm tri orë para skadimit të atij afati e kemi propozuar emrin e dytë të Fatmire Mulhaxha-Kollçakut. Pra, kemi pritur gjatë që merremi vesh me opozitën, meqë nuk u morëm vesh donim të takoheshim që të merremi vesh edhe atëherë kur çështja shkoi në Gjykatën Kushtetuese, na u tha që duhet të takohemi pas aktgjykimit.

U takova me LDK-në, PDK-ja refuzoi takimin. LDK-së ua kam bërë dy oferta, njërën për bashkëqeverisje, tjetrën për rokadë në Kuvend. Pastaj PDK-së për rokadë në kryesinë e Kuvendit, por thjeshtë nuk po më duken të gatshëm dhe të interesuar për marrëveshje dhe ky është një dëm i madh për Kosovën. Ju e dini se çfarë është folur para një viti, e tema kryesore ka qenë qysh nuk bën Albulena Haxhiu të bëhet kryetare e Kuvendit sepse është konfliktuoze, përçarëse dhe është aq e rrezikshme...e patën linçuar gruan më të votuar në legjislaturën e 9-të", ka thënë Kurti.

Ndryshe, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, afati për zgjedhjen presidentit nga Kuvendi i Kosovës është deri më 28 prill. /Telegrafi/