Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, mungoi në finalen e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, një veprim që, sipas raportimeve të mediave britanike, shihet si një shenjë proteste ndaj mënyrës se si FIFA e menaxhoi turneun.

Sipas gazetës The Times, mungesa e kreut të futbollit evropian pasqyron marrëdhëniet e tensionuara mes UEFA-s dhe FIFA-s, të cilat janë përkeqësuar pas disa vendimeve të diskutueshme gjatë Botërorit.


Rasti Balogun ndezi përplasjen

Një nga arsyet kryesore të pakënaqësisë së UEFA-s ishte vendimi i Komisionit Disiplinor të FIFA-s për të anuluar pezullimin me një ndeshje të sulmuesit amerikan Folarin Balogun.

UEFA e kritikoi ashpër këtë vendim, duke e cilësuar si "të paprecedentë, të pakuptueshëm dhe të pajustifikuar", ndërsa theksoi se një ndërhyrje e tillë dëmton besueshmërinë e procesit disiplinor.

Kontroversa u shtua edhe më shumë pasi u raportua se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kishte kontaktuar presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, duke kërkuar një rishikim të kartonit të kuq të Balogun. Kjo ngriti dyshime për ndikim politik në vendimmarrjen e organit më të lartë të futbollit botëror.

Pakënaqësi edhe për trajtimin e gjyqtarëve dhe Iranit

Një tjetër pikë përplasjeje ishte rasti i gjyqtarit somalez Omar Artan, i cili u kthye nga autoritetet amerikane përpara fillimit të turneut. Si përgjigje simbolike, UEFA e emëroi gjyqtar arbitër kryesor të finales së Superkupës së Evropës që do të zhvillohet muajin e ardhshëm.

UEFA shprehu gjithashtu shqetësim për trajtimin e përfaqësueses së Iranit gjatë Botërorit.

Lojtarët iranianë iu nënshtruan kontrolleve dhe kufizimeve më të rrepta gjatë hyrjes dhe daljes nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa trajneri Amir Ghalenoei deklaroi se skuadra e tij ishte vendosur në "pozicionin më të vështirë" të të gjitha ekipeve pjesëmarrëse.

Kundërshtime edhe për ndryshimet në rregullat e lojës

Pakënaqësia e UEFA-s nuk lidhet vetëm me çështjet disiplinore. Sipas raportit, drejtuesit evropianë janë kundër disa risive të aplikuara nga FIFA gjatë turneut.

Një prej tyre ishte zgjatja e pushimeve për rifreskim, të cilat, sipas UEFA-s, praktikisht e ndanë ndeshjen në katër pjesë dhe krijuan hapësirë shtesë për transmetimin e reklamave televizive.

Po ashtu, pjesa e parë e pushimit në finalen e Kupës së Botës zgjati 27 minuta, ndonëse rregullorja e futbollit parashikon një maksimum prej 15 minutash.

UEFA nuk pritet të adoptojë disa nga interpretimet e reja të FIFA-s, përfshirë mënyrën e përdorimit të VAR-it në rastet e ngatërrimit të identitetit të lojtarëve, si dhe rregullin që lejon futbollistët të mbulojnë gojën gjatë komunikimit në fushë.

Megjithatë, pavarësisht mungesës në finale, Ceferin ishte i pranishëm në ceremoninë hapëse të Kupës së Botës më 11 qershor në Mexico City, ku ndoqi ndeshjen e parë të turneut. /Telegrafi/

telegrafi sport app