LAJMI I FUNDIT:

Bordi i KEK-ut merr vendim për rritjen e pagave të punëtorëve?

Bordi i KEK-ut merr vendim për rritjen e pagave të punëtorëve?

Çështja e rritjes së pagave për punëtorët e KEK-ut ishte shkas i protestës të organizuar javën e kaluar nga Sindikata e Re e KEK-ut (SR KEK). Pas kësaj proteste, kjo sindikatë ka paralajmëruar edhe një grevë e cila do të fillojë nga dita e premte, në këtë mënyrë, në kuadër të kësaj greve do të reduktohet edhe prodhimi i rrymës.

Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Rafet Osmani, ka treguar për lajmi.net se për shkak të mos reflektimit të menaxhmenti i KEK-ut pas protestës, kanë vendosur në organizimin e një greve.


“Fillimisht kemi filluar me protesta për shkak të mosrealizimit të premtimeve që na kanë dhënë qeveritarët, përkatësisht Kryeministri me Kryetarin e Kuvendit, që rritja do të ndodhë në pagën e janarit, kjo protestë ishte madhështore dhe kaloi pa asnjë ekses.

Pas protestës e cila nuk reflektoi tek menaxhmenti për rritjen e pagave, të nesërmen mbajtëm mbledhjen me sindikatën e re në nivel të KEK-ut, nga ky këshill dolëm me vendimin për organizimin e grevës në nivel të KEK-ut e cila fillon me datën 16 shkurt” tha Osmani.

Ai bëri të ditur që pas vendimit për hyrje në grevë, është organizuar një mbledhje mes sindikatës së re dhe bordit të KEK-ut gjatë të cilit u konfirmua mbështetja e këtij bordi për rritjen e pagave konform kërkesave.

Osmani theksoi se pagat është dashur të rriten edhe pa kërkesën e tyre dhe premtimin e Qeverisë, dhe kjo për shkak se punëtorët e KEK-ut kanë treguar rezultat, disiplinë dhe përkushtim në punën e tyre.

“Pas këtij vendimi, Bordi i KEK-ut, në takimin më 9 shkurt, na ftoi në një takim, ku u bëmë të ditur përsëri se rritja e pagave është e arsyeshme dhe kjo është dashur të ndodhte edhe pa premtimin e qeveritarëve, për shkak të rezultateve dhe punës së punëtorëve të KEK-ut, si dhe disiplinës së tyre”, shtoi Osmani.

Ai ka treguar se kanë marr premtime për rritjen e pagave nga Bordi i KEK-ut. “Kryesuesi i Bordit, Faruk Hajrizi, më premtoi që kjo rritje ka me ndodhë menjëherë pas rishikimit të vijës buxhetore dhe ky është një vendim i marr nga bordi, i nënshkruar dhe i vulosur, por tash në cilin muaj do të merren me rritje, nuk është arritur dakordim.

Osmani shtoi se me gjithë premtimet e forta dhe vendimin e nënshkruar, greva do të fillojë nga dita e premte. “Greva nuk do të prolongohet, sepse sindikatën e punëtorëve e kanë formuar një klasë punëtore e re dhe ata do të vendosin në Këshillin e Përgjithshëm, premtimi është marrë me kohë që pagat e punëtorëve të KEK-ut do të rriten, besoj që do të shkojmë në grevë nga e premtja” përfundoi Osmani. /Lajmi.net/Telegrafi/