ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Gazeta franceze “Le Monde diplomatique” kritikon BE-në për shkak se po e keqpërdorë Shqipërinë për të internuar refugjatë, Kosovës po ia merr mjekët dhe në burgjet e saj po strehon delikuentë të dëbuar, ndërsa në Serbi BE është e interesuar të ledhatojë regjimin e Aleksandar Vuçiqit dhe të eksploatojë minerale.

E ardhmja e Bashkimit Evropian dhe e procesit të zgjerimit të tij ndoshta nuk po vendoset në sallat e mbledhjeve në Bruksel, por në fshatrat e harruara të Ballkanit si Gjadri në veri të Shqipërisë. Në një analizë të gazetës prestigjioze franceze “Le Monde diplomatique”, theksohet se vullneti për integrim të plotë po zëvendësohet me një marrëdhënie thjesht pragmatike dhe shfrytëzuese. Sipas artikullit, përtej retorikës zyrtare për zgjerim, Brukseli po e përdor Ballkanin Perëndimor si një zonë tampon për menaxhimin e krizave të tij, si një depo për të burgosurit e padëshiruar, si dhe si një burim të lirë të lëndëve të para dhe të krahut të kualifikuar të punës.


Simboli më i qartë i kësaj politike të re është pikërisht kampi i rrethuar me tela në ish-aeroportin ushtarak të Gjadrit, i ndërtuar nën administrimin e qeverisë italiane. Me hyrjen në fuqi të Paktit të ri Evropian për Azilin dhe Migracionin, ky kamp dhe të tjerë si ai po shndërrohen në destinacionin kryesor të politikës së eksternalizimit të kufijve të BE-së. Në vend që të pranojë refugjatë, Evropa po bashkohet rreth parimit të dëbimit dhe mbajtjes së tyre jashtë kufijve të saj territorialë. Ky sistem i detyron vendet kandidate të Ballkanit të nënshkruajnë marrëveshje riatdhesimi, duke i kthyer ato në stacione pritjeje për emigrantët e refuzuar, të cilët shpesh dëbohen në mënyrë të paligjshme nga vendet anëtare si Gjermania e Kroacia drejt Bosnjë-Hercegovinës apo Serbisë, ku lihen tërësisht në mëshirë të fatit.

Përveç emigrantëve, rajoni po përdoret edhe si një hapësirë për vuajtjen e dënimeve të të burgosurve të huaj nga vendet e pasura të bllokut. Marrëveshja e vitit 2021 mes Kosovës dhe Danimarkës për marrjen me qira të 300 qelive në burgun e Gjilanit, kundrejt një pagese prej 15 milionë eurosh në vit, shërben si precedent. Megjithëse autoritetet daneze garantojnë aplikimin e ligjit të tyre brenda institucionit, organizatat vendase për të drejtat e njeriut kanë alarmuar se ky “biznes” rrezikon ta kthejë Kosovën në një vendgrumbullim të personave të dëbuar që nuk mund të riatdhetsohen në vendet e tyre të origjinës. Interesi i shprehur edhe nga Belgjika për të ndjekur të njëjtën rrugë dëshmon se ky model po shihet me shumë interes nga shtetet e tjera anëtare.

Në rrafshin ekonomik, interesi i BE-së përqendrohet te burimet e paprekura minerale të rajonit, veçanërisht te litiumi, i cili është jetik për tranzicionin e industrisë së makinave drejt energjisë elektrike. Nënshkrimi i partneritetit strategjik mes BE-së dhe Serbisë, i mbështetur fuqishëm nga kancelari gjerman Olaf Scholz dhe industria e tij e automobilave, ilustron këtë qasje. Edhe pse Gjermania disponon vetë rezerva të mëdha litiumi, politikanët evropianë preferojnë që procesi i ndotshëm i nxjerrjes së këtij minerali të bëhet në Serbi, duke injoruar plotësisht protestat masive të qytetarëve serbë për mbrojtjen e mjedisit dhe të jetës së tyre.

Nga ana tjetër, rajoni po përballet me një shterim të vazhdueshëm të burimeve më të çmuara njerëzore, posaçërisht në sektorin e shëndetësisë. Vetëm nga Kosova, qindra infermierë dhe mjekë të kualifikuar largohen çdo vit drejt spitaleve evropiane, të shtyrë jo vetëm nga pagat më të mira, por edhe nga nepotizmi dhe klientelizmi politik që dominon tregun vendas të punës. Ish-drejtori i Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Pierre Mirel, e pranon hapur se ky eksod masiv po e bën Ballkanin gjithnjë e më të varfër dhe Evropën gjithnjë e më të pasur.

Kjo gjendje ushqehet nga vetë mënyra se si BE-ja i shpërndan fondet e saj të ndihmës. Planet e rritjes miliardëshe shpesh përfundojnë duke financuar projekte që u jepen kompanive të lidhura ngushtë me elitat politike në pushtet. Ky proces krijon një situatë, ku udhëheqësit vendas luajnë rolin e ndërmjetësit mes kapitalit ndërkombëtar dhe burimeve lokale, duke forcuar pushtetin e tyre autoritar.

Për këtë arsye, Brukseli dhe kryeqytetet e tjera evropiane tregojnë një tolerancë të jashtëzakonshme ndaj liderëve autokratë si Aleksandar Vuçiq. Edhe pse Serbia mbetet i vetmi vend kandidat që refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë, BE-ja vazhdon ta përkëdhelë regjimin e tij. Vizitat e shpeshta të presidentit francez Emmanuel Macron në Beograd dhe shitja e 12 avionëve luftarakë “Rafale” për rreth 3 miliardë euro dëshmojnë se interesi gjeopolitik dhe tregtar i vendeve të fuqishme evropiane peshon shumë më tepër sesa parimet e shtetit të së drejtës apo kërkesat e qytetarëve për demokraci.

Në fund të analizës, “Le Monde diplomatique” vë në dukje se premtimi për anëtarësim në BE po mbahet gjallë vetëm si një “karrotë përpara hundës së gomarit”, ndërkohë që integrimi i vërtetë shtyhet pafundësisht. Për sa kohë që ky ekuilibër i paqëndrueshëm vazhdon, vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten të dënuara të luajnë vetëm rolin e furnizuesit të thjeshtë të lëndëve të para, burimit të krahut të lirë të punës dhe rojës së kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian./Telegrafi/