Një ecje e papërsëritshme në Alpet e kantoneve Uri dhe Graubünden. (E cila nuk preferohet të përsëritet, mjafton njëherë - në Ditën Kombëtare të Zvicrës).

Një ese mbi bjeshkën dhe ujin, ndryshimet dramatike të klimës, orët e gjata pa internet, taksistin e fshatit Disentis, shkrimtarin gjenial zviceran Niklaus Meienberg, i cili në Distentis ka ndjekur gjimnazin në një manastir të famshëm dhe një libër me vlerë të një gazetari gjerman për krizat e botës (i dëgjuar gjatë ecjes).


Dita e djeshme filloi në Maderanertal, në kantonin Uri, në Zvicrën qendrore. Maderanertal është një zonë e izoluar. Sidomos pjesa e fundit e rrugës, mes Amstegut dhe Bristenit - fshatit prej nga planifikoja ecjen në shtigjet malore - është e ngushtë, gjarpërore dhe plot kthesa. Herë pas here krijohet përshtypja se autobusi nuk po kalon nëpër tunele, por nëpër vrimën e gjilpërës.

Kur arrita në Bristen, kisha disa mundësi për të zgjedhur shtigje të ndryshme. Mund të merrja teleferikun drejt Golzern (Bergstation) dhe nga aty të vazhdoja drejt kasolles Windgällenhütte. Mirëpo, atje kam qenë një herë, së bashku me fotografin Visar Kryeziu. Prandaj vendosa të zgjedh një rrugë tjetër: të ndiqja lumin dhe, praktikisht, të kaloja nga kantoni Uri në kantonin Graubünden.

Nga Bristen (832 metra) deri te kasollja Camona da Cavardiras (2649 metra), përgjatë përroit Brunnibach, janë rreth 17 kilometra që duhet kaluar në këmbë (dhe afërsisht 1800 metra ngjitje). Rruga zakonisht kërkon shtatë deri nëntë orë. Nga Camona da Cavardiras deri në fshatin Disentis, pranë përroit Aua da Russein në Val Russein, janë sërish rreth 17 kilometra dhe afërsisht 1500 metra zbritje.

Kush merret pak me alpinizëm, e di çfarë domethënë kjo: një ecje në kufijtë e fuqisë fizike.

Pranë kasolles Camona da Cavardiras ndodhet Brunnifirn, akullnaja e Brunnit. Shtegu është i siguruar me litarë dhe shkallë, ndërsa kalimi i akullnajës kërkon kujdes të veçantë.

Kjo ecje, duhet thënë, nuk është e paraparë të realizohet brenda një dite. Por njeriu në mëngjes është më optimist se në fund të ditës. Zbrita nga autobusi në Bristen pak pas orës tetë të mëngjesit dhe më tërhoqi tabela që sinjalizonte shtegun drejt Camona da Cavardiras. (Camona në gjuhën retoromane domethënë kasolle). Zbritjen nga Camona da Cavardiras deri te stacioni i parë i autobusti apo trenit në Distentis e përfytyroja shumë të lehtë, nja dy orë. Doli dardhë me bisht, siç thuhet. Për këtë episod pak më vonë në këtë tekst.

Shtegu është vërtet fantastik. Pamjet pranë lumit Brunnibach janë mahnitëse: rënie spektakulare uji, ujëvara, stuhi ujore që përplasen mbi shkëmbinj, maja impozante dhe qielli, kryesisht i kaltër, por shpesh i mbështjellë me shtëllunga resh. Lart, me siguri në lartësi mbi 3000 metra, ende shihet borë. Është bora e mbetur nga dimri që shkoi, por edhe një kujtesë e hidhur se, për shkak të ndryshimeve klimatike, shumë akullnaja vazhdojnë të shkrihen. Të kaplon një ndjenjë pikëllimi kur shesh nga afër se si po shkrihet akullnaja e Brunnit.

Kam frikë se mund të jemi dëshmitarët e fundit që shohim këso akullnajash para se të zhduken. Duket se ky është një proces që nuk mund të kthehet më mbrapsht, ndoshta edhe sepse për shumë kohë njerëzit - përfshirë politikanët, të cilët në fund të fundit janë njerëz si gjithë të tjerët - nuk i kanë kushtuar mbrojtjes së mjedisit rëndësinë e duhur. Tani, natyrisht, çmimin po e paguajmë të gjithë.

Këtu, në Alpet mes Urit dhe Graubündenit, je vërtet larg civilizimit. Nuk ka rrjet telefonik, rrjedhimisht nuk ka as internet, këtu je i shkëputur nga çdo joshje apo ndotje digjitale. Në disa restorante apo kasolle përgjatë rrugës, të cilat nuk janë të shumta, nuk ka internet për vizitorët; ka vetëm për nevojat e menaxhimit të kasolles. Vlen deviza: kur del në mal, internetin duhet ta lësh poshtë në luginë dhe ta marrësh me vete vetëm qetësinë.

Megjithatë, telefoni është i rëndësishëm për të fotografuar. Dje ishte e vështirë të ecje dhjetë hapa pa e nxjerrë telefonin për të përjetësuar një pamje të re. Shtegu kalon kryesisht pranë lumit, dhe lumi është, si ta përshkruash ndryshe, një kinema e ujit. Bjeshkatarët janë të rrallë. Ndoshta një herë në orë kalon dikush, të përshëndet shkurt me një “Grüezi”, dhe pastaj secili vazhdon në qetësi shtegun e vet. (“Grüezi” mund të krahasohet me fjalën “tung” në shqip).

Moti ishte jashtëzakonisht i mirë. Temperatura duhej të ishte mes 17 dhe 19 gradë. Frynte një fllad i lehtë, si në këngët popullore shqiptare.

Zbritja nga kasollja ishte e vështirë, me terren shumë të rrëshqitshëm për shkak të shiut. Për fat të mirë, nuk ra shumë; më tepër rigonte sesa binte shi i vërtetë. Por gjithsesi toka ishte e lagësht, bari shumë i rrëshqitshëm dhe gurët po ashtu: të mëdhenj, të vegjël, të rrafshët, të mprehtë, katrorë, të palëvizshëm ose të lëvizshëm. Duhej kujdes i jashtëzakonshëm.

Shtegu dukej se nuk kishte fund. Pas katër ose pesë kilometrash, kjo pyetje shfaqet në horizontin imagjinar: edhe sa rrugë ka mbetur? Pastaj, pas dy orësh, duket një tabelë që njofton se deri në fshatin Disentis kanë mbetur edhe dy orë e gjysmë. Në praktikë, llogarit tri orë. Kjo është ajo dardha me bisht, e përmendur më lart në këtë tekst. Nëse gjithçka do të shkonte mirë, ndoshta para orës dhjetë të mbrëmjes do të arrija në Disentis, pastaj aty është treni drejt qytetit të Churit dhe më pas drejt Zürichut.

Kështu, me shumë gjasë, do të kthehem në shtëpi ose më 1 gusht, ose ndoshta më 2 gusht, pas një ecjeje mahnitëse, shumë të lodhshme, por të mbushur me përjetime dhe me natyrë tepër të bukur e të larmishme. Kam parë gjithçka: lumenj, ujëvara, akullnaja, dy kasolle alpine.

Përkundër lodhjes, kjo mbetet një përvojë interesante dhe jashtëzakonisht e veçantë për mua, pavarësisht se deri më tani kam parë mjaft bjeshkë helvetike dhe arbërore.

Në këso situatash, më i rëndësishëm se ushqimi është uji. Duhet të keni me vete sa më shumë ujë që të jetë e mundur. Unë kisha katër litra, të cilat s’mjaftuan. Për fat të mirë gjatë rrugës kishte mjaft burime.

Rreth orës 22:00 arrita, më në fund, në Disentis/Mustér. Këtu ajo dardha me bisht u bë dardhë me bisht të gjatë. Tren për në Chur nuk kishte më. Autobusin nuk e kapa për pak minuta. Është kulmi i sezonit dhe në hotelet e pakëta të Disentisit nuk kishte asnjë dhomë. Zgjidhja u gjet, megjithatë. Një taksist lokal erdhi shpejt, një burrë shumë i mirësjellshëm, me humor. Duke qeshur tha: “Mendova njëherë të mos e hap telefonin dhe të hapja një shishe verë, fundja sot është Dita Kombëtare e Zvicrës”. Udhëtimi deri në qytezën Ilanz ishte një rast i mirë për muhabet me taksistin. “Jetojmë nga turizmi malor dhe nga Manastiri”, tha ai.

Disentis njihet për Manastirin Benediktin, një nga manastiret më të vjetra në Zvicër, me zanafillë rreth vitit 700. Vizitohet nga mijëra turistë. I vendosur në luginën e lumit Vorderrhein, manastiri gjatë historisë ka qenë qendër fetare, kulturore dhe politike e rëndësishme në Graubünden; kompleksi i sotëm barok daton kryesisht nga fundi i shekullit XVII dhe fillimi i shekullit XVIII.

Manastiri ka edhe një gjimnaz të famshëm, të cilin e ka ndjekur shkrimtari zviceran Niklaus Meienberg (1940-1993). Meienberg ka qenë gazetar hulumtues, historian dhe, siç u tha, shkrimtar. Mbi të gjitha Meienberg ishte polemist gjenial. Legjendare janë kritikat e tij acidike kundër elitave politike dhe ekonomike zvicerane, të cilat i përshkruan si egoiste. Pas gjimnazit në Manastirin e Disentisit, Meienberg studioi histori në Fribourg, Zürich dhe Paris; punoi si korrespondent në Paris për disa media zvicerane dhe gjermane. Ishte aq i parehatshëm, saqë një gazetë e Zürichut e ndërpreu bashkëpunimin me të.

Nuk mund t’i rezistoj tundimit për të sjellë një copëz tekst të Meienbergut, sa për të dëshmuar se çfarë gazetari ishte. Më 1992 ai i dërgoi nga Zürichu një letër kryeredaktorit të gazetës boshnjake “Oslobodjenje”, ku me ironi therëse përshkruan rehatinë zvicerane përballë tmerrit në Ballkan.

„I dashur Zlatko Dizdarević, nga Zürichu mund t’ju raportoj: asnjë ngjarje luftarake gjatë muajit mars. Herët në mëngjes, gazetat përplasen me përpikëri në kutitë e postës, redaktorët ecin të papenguar drejt ndërtesave të gazetave, armët heshtin. Kur një re tymi ngrihet në qiell, kjo na qetëson neve këtu në skajin verior të qytetit: impianti i djegies së mbeturinave po punon. Ne punojmë (pothuajse gjithmonë). Ushtria rri e qetë, aeroporti funksionon, shkollat japin mësim, stomakët tretin, administratat administrojnë; jo vetëm që nuk ka radhë pritjeje para dyqaneve, por s'ka as snajperistë që të na pengojnë gjatë blerjeve.

Nga ana tjetër: pesë kilometra kolona me vetura në autostradën N1.

Qentë duken të mirëmbajtur, edhe macet tona janë të ushqyera mjaftueshëm. Kemi mundësi zgjedhjeje mes ushqimit mesatar, të mirë dhe fantastik për mace. Ndonjëherë dëgjohen të shtëna, atëherë e dimë: është e diel dhe po qëllohet me pushkë në shenjë në fushën e qitjes.

Beteja e fundit e vërtetë i përket rreth dy shekujve më parë. Francezët kundër rusëve - as gjyshet tona nuk e mbajnë mend atë. Një shtypje e ndërprerësit të dritës: bëhet dritë; një rrotullim i rubinetit: uji rrjedh. Së shpejti vijnë pushimet dhe shumë njerëz duhet me dhimbje të heqin dorë nga kjo: në Jugosllavinë dikur kaq të lirë nuk do të mund të udhëtohet, të paktën jo në Sarajevë”.

Në Ilanz treni priste në peron. Edhe në Ditën Kombëtare. Më 1 gusht 1291 tre burra nga tri treva u tubuan në një livadh në Zvicrën qendrore, ia dhanë besën njëri-tjetrit për mbështetje të ndërsjellë. Kështu nisi themelimi i Zvicrës. Më 1848 iu hodhën themelet Zvicrës moderne. Politikanët e asaj kohe e kopjuan modelin politik të SHBA-së, prandaj Zvicra dhe Amerika quhen republika simotra.

“Zvicra është praktike dhe funksionale - dhe pakëz monotone. Ekziston ajo shprehja e duhur: Është bukur të lindësh si zviceran; është bukur të vdesësh si zviceran. Por çfarë bën njeriu gjatë kohës mes këtyre të dyjave? Përgjigjja ime është plotësisht zvicerane: Këtë kohë e shpenzoj duke punuar”, tha shkrimtari Friedrich Dürrenmatt në një nga intervistat e tij të fundit për gazetën “Die Zeit”.

Kur e pyetën Albert Einsteinin se ku do të donte ta përjetonte fundin e botës, ai tha: “Në Zvicër. Atje çdo gjë ndodh pak më vonë”.

Meqë është kohë krizash, popullizmash dhe luftërash, ia vlen të citohet edhe shkrimtari Max Frisch (1911-1991): „Kriza është gjendje produktive. Thjesht duhet t'i hiqet shija e katastrofës“.

Për fund edhe kjo:

Gjatë gjithë kësaj ecjeje të paharrueshme, rreth 14 orëshe, dëgjova gati një libër të tërë, të shkruar nga gazetari gjerman, Jörg Lau. Libri trajton gabimet strategjike të Gjermanisë në politikën e jashtme. Autori merr katër raste kryesore: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusinë, Izraelin dhe Kinën.

Është një libër jashtëzakonisht i mirë, me analiza të thella të konflikteve globale që e prekin drejtpërdrejt edhe Gjermaninë. Autori është një adhurues i madh i Amerikës tradicionale, transatlantike, dhe natyrisht është i zhgënjyer nga tensionet e krijuara mes Evropës - sidomos Gjermanisë - dhe administratës së presidentit Trump. Për Trumpin ai nuk zgjedh fjalët më të buta, por argumenton mirë.

Lau e kritikon Evropën për shkak se ka refuzuar të përballet me realitetin. Ai kujton një qëndrim në SHBA pak vite pas luftës së Kosovës. Darkë në një familje amerikane në North Dakota. Skara punon. Ndejës i bashkohet një burrë amerikan, fqinj. Meqë mysafiri vinte nga Europa, ai e pyet se përse djali i tij duhet të sigurojë paqen në Ballkan (konkretisht në Kosovë në kuadër të KFOR-it), ndërsa vuropianët nuk marrin më shumë përgjegjësi.

Gazetari gjerman jep një shpjegim të gjatë dhe në libër e pranon se as vetë s’kishte qenë i bindur në argumentet e tij. Evropianët gjatë kanë menduar kështu: ne merremi me biznes, me fitime e përfitime, ndërsa për sigurinë tonë kujdeset Amerika.

Përfundimi, sipas autorit, është se, për fat të keq, Shtetet e Bashkuara janë shkëputur dukshëm nga Evropa dhe se kontinenti i vjetër duhet të mendojë vetë se si do të përballet me çështjet e sigurisë. Libri është jashtëzakonisht kritik ndaj elitës politike gjermane dhe raportit të saj me Rusinë.

Autori nuk lë gur pa lëvizur në qortimin e tij ndaj klasës politike gjermane, e cila, pavarësisht paralajmërimeve të shumta amerikane për të mos e thelluar bashkëpunimin me Rusinë dhe për të mos rënë në varësi nga gazi rus, nuk dëgjoi asnjë këshillë. Nuk ka rëndësi nëse në pushtet ishin socialdemokratët apo demokristianët: sipas autorit, politika gjermane ndaj Rusisë ishte një katastrofë. Dhe i pari që i ka prirë kësaj katastrofe, sipas autorit, është presidenti i tanishëm Frank-Walter Steinmeier, i cili pas çdo poshtërsie ruse gjente një arsyetim. As kancelarja shumëvjeçare Angela Merkel nuk shpëton nga kritika në këtë libër.

Të vetmit që u përpoqën të korrigjonin disi kursin ishin të gjelbrit gjermanë. Ata mbajtën një qëndrim shumë pozitiv, human dhe këmbëngulës edhe gjatë luftës në Kosovë. Kjo u pa sidomos në vitin 1999, përmes ministrit të atëhershëm të Jashtëm, Joschka Fischer.

Në libër përmendet edhe Marieluise Beck, deputete për shumë vite e të gjelbërve në Gjermani. Ajo e njihte mirë Evropën Lindore dhe Ballkanin, ishte shumë kritike ndaj Rusisë dhe, në Bundestag, ishte një nga mbështetëset më të mëdha të Kosovës dhe të pavarësisë së saj.

Kur të gjithë pothuaj e adhuronin Vladimir Putinin, Beck kërkoi shpjegime lidhur me një propagandist gjerman që i shërbente Rusisë, jepte intervista në mediat ruse dhe, në të njëjtën kohë, shfaqej rregullisht në emisione televizive gjermane. Për një periudhë, ai kishte qenë madje këshilltar i Ministrisë së Jashtme ruse. Beck protestonte kundër kësaj qasjeje të politikës gjermane.

Më pas vijnë kapitujt për Izraelin e Kinën. Gjermania për një kohë të gjatë ka mbajtur një qëndrim shumë pro-izraelit dhe e ka furnizuar Izraelin me armë (vazhdon ta bëjë këtë). Kancelari Friedrich Merz, kur ishte në opozitë, e kritikonte ashpër qeverinë e përbërë nga socialdemokratët, të gjelbrit dhe liberalët për vonesat ose ndërprerjet e mundshme në furnizimin e Izraelit me pajisje ushtarake.

Por politika shpesh funksionon në dy mënyra: ajo që thonë politikanët në opozitë dhe ajo që thonë pasi vijnë në pushtet janë dy botë të ndryshme. Me ashpërsimin e sulmeve dhe krimeve të luftës kundër popullsisë civile në Gaza, të kryera nga Izraeli, kancelari Merz dhe ministri i Jashtëm Johann Wadephul filluan të ndryshojnë gjuhën politike ndaj Izraelit. Ata kërkuan respektimin e së drejtës ndërkombëtare, ndonëse këto apele, natyrisht, nuk kanë pasur ndonjë efekt të madh.

Kapitulli i fundit trajton Kinën. Sipas autorit, Gjermania po përsërit, ose tashmë ka përsëritur, gabimet e njëjta që bëri ndaj Rusisë. Degë të tëra të industrisë gjermane po zhvendosen në Kinë, duke krijuar një varësi të re ekonomike. Autori bisedon me një menaxher të kompanisë gjermane BASF, që ka hapur një fabrikë shumë të madhe në Kinë. Ai e pyet nëse nuk i frikësohet mundësisë që Kina të sulmojë Tajvanin dhe se kjo do të sillte pasoja serioze për ekonominë gjermane dhe atë botërore. Bllokimi i rrugëve detare në zonën e Tajvanit do të ndikonte negativisht në transportin global të mallrave.

Menaxheri i BASF është optimist. Ai thotë se Kina nuk është Rusia. Por autori e sheh këtë si një qëndrim tepër naiv. Sipas tij, ky naivitet i politikës gjermane vazhdon ende.

Prandaj ky libër është kaq i rëndësishëm. Gjermania është ekonomia më e madhe e Evropës dhe një nga ekonomitë më të mëdha në botë; çdo gabim strategjik i saj ka pasoja të mëdha për kontinentin dhe më gjerë.

Autori nxjerr në sipërfaqe shumë ngjarje të politikës gjermane. Këtu del në pah një detaj domethënës. Pavarësisht paralajmërimeve amerikane në Berlin se Rusia po përgatitej për një sulm të afërt kundër Ukrainës (më 2022), pala gjermane ishte mjaft naive, madje edhe arrogante, duke thënë se amerikanët po e tepronin.

Situata u bë veçanërisht absurde kur kreu i shërbimit sekret gjerman, pak para 24 shkurtit 2022, shkoi për vizitë në Kiev dhe u befasua nga sulmi rus - një sulm për të cilin kishte besuar se nuk do të ndodhte. Pikërisht për këtë arsye, ky libër është jashtëzakonisht i rëndësishëm.