Bono pret penalltinë e Mbappe - Franca nuk arriti ta konkretizojë dominimin


Franca ka dominuar pjesën e parë ndaj Marokut, por rezultati ka mbetur i pandryshuar pas 45 minutave të para.
“Gjelat” e nisën takimin me intensitet të lartë dhe që në minutën e katërt iu afruan golit, kur Dayot Upamecano u shkëput bukur pas një krosimi në zonë, por goditja e tij me kokë u ndal nga Bono, i cili reagoi në mënyrë fantastike.
Momenti më i madh i pjesës së parë erdhi në minutën e 28-të. Franca fitoi penallti pas një ndërhyrjeje të Noussair Mazraoui, ndërsa gjyqtari Facundo Tello e konfirmoi vendimin edhe pasi rasti u rishikua në VAR.
Megjithatë, Kylian Mbappe nuk arriti ta shfrytëzojë rastin, pasi Bono e lexoi goditjen e tij drejt këndit të poshtëm të djathtë dhe e priti penalltinë.

Franca vazhdoi të krijojë raste dhe Desire Doue u fut në zonë pas një aksioni individual në minutën e 35-të, por edhe tentativa e tij u ndal nga portieri maroken.
Në kohën shtesë të pjesës së parë, Lucas Digne ishte shumë pranë një supergoli nga distanca, por goditja e tij e fuqishme u ndal në traversë.

Maroku ka rezistuar falë Bonos, i cili ka qenë protagonisti kryesor i 45 minutave të para, ndërsa Franca do të kërkojë ta kthejë dominimin në gol në pjesën e dytë. /Telegrafi/









































