LAJMI I FUNDIT:

Bonevet, a mund të aftësojmë ndërmarrës të rinj përmes programeve edukative?

Bonevet, a mund të aftësojmë ndërmarrës të rinj përmes programeve edukative?

Në kuadër të rubrikës Made in Kosova, në emisionin “7 Ditë me Panxhën”, këtë javë u transmetua puna që BONEVET e bënë.

Dilema se a lind a po mësohesh ka përcjellë diskutimet tash e sa kohë. E se mund të fitosh aftësi dhe shkathtësi për t’u bërë ndërmarrës tashmë shumë programe e kanë dokumentuar këtë.

BONEVET me punën që po bën me shumë fëmijë e të rinj të cilët ndjekin programe që u ndihmojnë në arritjen e aftësive dhe shkathtësive, ndër të tjera edhe për ndërmarrësi, është duke i dhënë orientim kësaj dileme.

Aftësitë që fitojnë fëmijët në Bonevet janë të ndryshme. Ata mësojnë aftësi të buta, gjuhë programuese, zhvillojnë ide kreative si dhe argëtohen njëkohësisht. E gjatë gjithë këtij procesi ata përvetësojnë edhe aftësi të ndërmarrësisë.

Eglantina Avdiu kryementore në Bonevet tregon se si ky institucion u ndihmon fëmijëve që t’i zbulojnë dhe t’i zhvillojnë tutje aftësitë e tyre, duke treguar po ashtu edhe për metodat që BONEVET zbatojnë.

“Mënyra ma e mirë që me i zbulu aftësitë e fëmijëve, është me I lënë me eksperimentu. Ne kemi një lloj sistemimi të klasave, ku në nivelin e parë ata i zhvillojnë aftësitë e tyre, pastaj ku e shohim që ata po kanë më shumë interesim dhe po janë më të aftë, vazhdomë me nivelin e dytë”- tregoi Avdiu.

Kurse si zhvillohet një i ri në BONEVET tregon Rinë Fetahu, e cila mban pozitën e udhëheqëses së departamentit të edukimit në këtë institut.

“Prej një fëmijë 5 vjeç që vjen në Bonevet e deri në moshën 18+, krejt e ka një logjikë të rrjedhës së aktiviteteve, duke filluar me zhvillimin e aftësive të buta, mandej ato teknike. Edhe mësimi përmes projekteve është një kombinim që na e kemi gjet si kombinim i duhur për me zhvillu ndërmarrës të suksesshëm”, tregoi Fetahu.

Produkte, shërbime ose teknologji të reja dhe të përmirësuara nga ndërmarrësit mundësojnë zhvillimin e tregjeve të reja dhe krijimin e pasurisë së re, e programet si BONEVET ndihmojnë në krijimin e një gjenerate ndërmarrësish të rinj.

Durim Hoxha, profesor i ndërmarrësisë, ka treguar për tiparet që e karakterizojnë një ndërmarrës. Ndër të tjera ai tregon edhe për ndikimin e programeve edukative tek të rinjtë sa i përket përfitimit të aftësive për ndërmarrësi.

“Ndërmarrësi karakterizohet me cilësi të ndryshme, me tipare të ndryshme. Vlen të theksohet së një pjesë e këtyre tipareve janë tipare të mësuara, ndërsa një pjesë e vogël e tyre janë tipare që lindin me vet ndërmarrësin.”

Për t’u shoqëruar edhe me detaje të tjera e me pamje të fëmijëve të BONEVET duke punuar, ju ftojmë ta ndiqni storien e realizuar nga emisioni “7 Ditë me Panxhën”. /Telegrafi/