Bomba e verës: Juventusi planifikon transferimin e ish-yllit të Milanit

Sipas Tuttosport, Juventus ka identifikuar mesfushorin e Al-Ahli, Franck Kessie, si objektivin kryesor për afatin kalimtar të verës.
Skuadra e drejtuar nga Luciano Spalletti po kërkon të përforcojë mesfushën me një lojtar të fortë dhe të gjithanshëm, i cili do të formonte dyshe me Manuel Locatelli dhe Khephren Thuram.
Profili i Kessiet konsiderohet ideal për kërkesat taktike të klubit.
Kontrata e mesfushorit me klubin saudit skadon në qershor, ndërsa ai ka refuzuar një ofertë rinovimi. Kjo e bën një rikthim në Serie A një opsion shumë të mundshëm.

Megjithatë, lojtari do të duhej të pranonte një ulje të ndjeshme page nëse do t’i bashkohej “Zonjës së Vjetër”.
Juventusi po monitoron gjithashtu disa alternativa të tjera për mesfushën. Një prej tyre është Leon Goretzka i Bayern Munich, i cili gjithashtu është një lojtar i lirë dhe është në radar edhe të Milanit.
Në listën e bardhezinjve janë gjithashtu edhe Ederson i Atalantas, Xaver Schlager i Leipzig, si dhe Manuel Ugarte i Manchester United./Telegrafi/




















































