LAJMI I FUNDIT:

Bleu gjëra ushqimore në vlerë 740 euro, ndalohet i dyshuari pasi paratë ishin të falsifikuara

Bleu gjëra ushqimore në vlerë 740 euro, ndalohet i dyshuari pasi paratë ishin të falsifikuara

Policia e Kosovës ka ndaluar një person në Ferizaj, pasi që i njëjti dyshohet për falsifikim të parasë.

Në njoftim thuhet se, më datën 07.05.2023 rreth 15:00 Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë tek një qendër tregtare në Ferizaj, një person i dyshuar aty kishte blerë produkte ushqimore në vlerë rreth 740 euro, të gjitha monedha nga dy (2) euro të dyshuara si të falsifikuara dhe ishte larguar.


Policët e rendit, e më pas edhe policët hetues menjëherë i janë përgjigjur kësaj informate dhe nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj i kanë nisur hetimet.

“Pas një pune intensive hetimore, grumbullimit të informacioneve në terren, shikimit të kamerave të sigurisë, është identifikuar dhe është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj personi i dyshuar H.R ( M/K) i moshës 41 vjeçar”, thuhet në njoftim.

Pas intervistimit të tij nga policët hetues, me vendim të prokurorit të rastit i njëjti është liruar në procedurë të rregullt hetimore, kurse monedhat në vlerë 740 euro, të gjitha monedha nga dy (2) euro janë konfiskuar, për procedura të mëtejme hetimore. Rasti është cilësuar “Falsifikim i parasë”. /Telegrafi/