Konjufca letër Kallasit, Kosova me tri kërkesa për BE-në pas deklaratave skandaloze të Paunoviqit


Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, i ka dërguar një letër Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, duke kërkuar një reagim më të ashpër të BE-së ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila tha se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998 do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.
Në letrën e tij, Konjufca e cilëson deklaratën si një "lavdërim të qëllimshëm të krimeve të luftës", nxitje të urrejtjes dhe kërcënim për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Sipas tij, retorika e një ministreje në detyrë nuk mund të trajtohet si një gafë e zakonshme, pasi intervista e saj ishte, siç tha ai, e mbushur me përmbajtje revizioniste dhe armiqësore që dëmton dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Konjufca shprehu gjithashtu pakënaqësi me reagimin fillestar të Bashkimit Evropian, duke thënë se ai ishte i vonuar dhe i kufizuar.
"Një reagim publik më i qartë dhe më i fuqishëm është i domosdoshëm për të mbështetur angazhimin e Bashkimit Evropian për parandalimin e krimeve mizore, refuzimin e gjuhës së urrejtjes dhe luftimin e revizionizmit historik", thuhet në letër.
Në dokumentin dërguar Kallasit, ministri i Jashtëm në detyrë kërkon që BE-ja:
të dënojë publikisht dhe qartë deklaratën e ministres Paunoviq; t'ua rikujtojë autoriteteve serbe se deklarata të tilla janë të papajtueshme me vlerat evropiane dhe procesin e anëtarësimit; ta trajtojë këtë çështje në kuadër të dialogut politik me Serbinë dhe në procesin e integrimit evropian.
Konjufca i ka kërkuar gjithashtu Kallasit një takim ose bisedë telefonike sa më parë për të diskutuar këtë çështje.
Në fund të letrës, ai rithekson se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj demokracisë shumetnike, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të të gjitha komuniteteve, duke theksuar se spastrimi etnik dhe ndëshkimi kolektiv janë të papranueshme në çdo formë./Telegrafi/
I have written to High Representative @kajakallas regarding recent statements by a Serbian government minister advocating ethnic cleansing.
Upholding European values requires a clear and principled response whenever rhetoric that glorifies war crimes or ethnic cleansing emerges. pic.twitter.com/AYROXFOD7D
— Glauk Konjufca (@KonjufcaGlauk) July 17, 2026




































