Një dosje e sigurisë së policisë amerikane ka zbuluar përmasat e kërcënimeve që kanë shoqëruar Kupën e Botës, duke nxjerrë në pah një realitet shqetësues pas spektaklit më të madh të futbollit botëror.

Sipas dokumenteve të raportuara nga The Sun, bazuar në informacionet e publikuara nga Informacion.es, gjatë turneut janë regjistruar kërcënime të shumta që kanë prekur jo vetëm kombëtaret dhe lojtarët më të mëdhenj, por edhe gjyqtarët dhe organizatorët.


Në qendër të kërcënimeve ishte kombëtarja e Argjentinës dhe veçanërisht Lionel Messi. Para ndeshjes së Argjentinës ndaj Jordanisë, një person telefonoi aeroportin e Dallasit duke kërcënuar se do të hynte në stadium së bashku me dy persona të tjerë të armatosur. Ai pretendonte se do të sulmonte policinë dhe lojtarët e të dyja skuadrave, duke përmendur edhe Messin si objektiv.

Një situatë e ngjashme u përsërit para përballjes së Argjentinës me Egjiptin. Një person kishte shkruar në rrjetin social “X” se do të hynte në stadiumin e Atlantës dhe do të kryente një sulm duke përdorur mjete shpërthyese, me synim sulmin ndaj kapitenit argjentinas.

Gjatë të njëjtës ndeshje, policia mori edhe një alarm tjetër për pretendimin se në tribunat e stadiumit ishin vendosur mjete shpërthyese. Menjëherë u aktivizuan ekipet kundër eksplozivëve dhe qentë e specializuar për kontroll.

Por kërcënimet nuk prekën vetëm Messin. Edhe Cristiano Ronaldo u përfshi në raportet e sigurisë. Një punonjës i FIFA-s raportoi për një person të dyshimtë që kishte kërkuar informacione rreth vendndodhjes së yllit portugez, ndërsa një tifoz kishte hyrë në hotelin e Ronaldos dhe kishte tentuar t’i afrohej në ashensor. Personi u ndalua nga policia dhe pretendoi se dëshironte vetëm një fotografi.

Edhe gjyqtarët u përballën me presion ekstrem. Gjyqtari francez Francois Letexier mori më shumë se 6000 mesazhe kërcënuese në WhatsApp pas vendimeve të tij në ndeshjen Argjentinë – Egjipt, ndërsa gjyqtari i VAR-it, Willy Delajod, u kërcënua me jetë nga tifozë të zemëruar egjiptianë.

Në shënjestër përfunduan edhe futbollistët që gabuan në momente vendimtare. Sulmuesi norvegjez Alexander Sorloth dhe bashkëshortja e tij morën kërcënime pasi ai nuk ia pasoi topin Erling Haalandit në çerekfinalen ndaj Anglisë. Një situatë e ngjashme ndodhi me kolumbianin Jaminton Campaz pas një penalltie të humbur.

Këto raste rikthyen kujtimet e errëta të vitit 1994, kur mbrojtësi kolumbian Andres Escobar u vra pas autogolit të shënuar në Kupën e Botës.

Përveç kërcënimeve direkte, pati edhe incidente të tjera. Në Paraguaj, disa tifozë dogjën një figurë me emrin e Kylian Mbappes pas humbjes ndaj Francës, ndërsa ylli francez u përball edhe me thirrje raciste.

Edhe kombëtarja e Koresë së Jugut mori mbrojtje të shtuar pas eliminimit nga faza e grupeve, ndërsa trajneri Hong Myung-bo u bë objekt i zemërimit publik dhe policia nisi hetime rreth mënyrës së emërimit të tij.

Një alarm tjetër u regjistrua te kampi i Anglisë, ku qendra mediatike pësoi një shkelje sigurie pasi një person hyri me një çelës metalik duke bërtitur. Pas këtij incidenti, zona u shndërrua në një prej hapësirave më të sigurta të turneut, me disa rrethe sigurie, barriera betoni, masa kundër dronëve dhe mbrojtje të armatosur.

Sipas raportimeve, ky Botëror konsiderohet si një prej edicioneve më të fortifikuara në histori, ku pas spektaklit në fushë fshihej një operacion masiv sigurie për të mbrojtur lojtarët, tifozët dhe zyrtarët./Telegrafi/

telegrafi sport app