LAJMI I FUNDIT:

Blerim Isufaj zgjidhet Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale

Blerim Isufaj zgjidhet Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale
Foto: Arkiv

Ish-kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Blerim Isufaj është zgjedhur kryeprokuror i ri i Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK).

Pas dy dështimeve për ta zgjedhur Kryeprokurorin e ri të PSRK-së, KPK-ja të hënën ka votuar unanimisht që Isufaj me 10 vota të zgjidhet në krye të PSRK-së.


Në garë për këtë post, bashkë me Isufajn ka qenë edhe prokurori Haki Gecaj, por ky i fundit nuk ka arritur të marr asnjë votë nga anëtarët e KPK-së.

Para votimit për Kryeprokuror të PSRK-së, KPK-ja mori vendim të refuzojë kundërshtimet e kandidatëve për Kryeprokuror Armend Hamiti dhe Atdhe Dema, duke lënë në garë vetëm Blerim Isufaj e Haki Gecaj.

Ndryshe, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), më 3 shtator 2019, kishte zgjedhur panelet vlerësuese për emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Zgjedhja e këtyre paneleve, ishte bërë me anë të shortit, e ku përveç kryesuesit të KPK-së, Bahri Hyseni, i cili është anëtar ex-officio i këtyre paneleve, ishin zgjedhur edhe nga katër anëtarë tjerë nga radhët e KPK-së.

Në panelin vlerësues për emërimin e Kryeprokurorit të PSRK-së, ishin zgjedhur si anëtarë, Bedrije Syla-Alshiqi, Radica Miliq, Dëshirë Jusaj dhe Zejnullah Gashi. Si anëtar të komisionit për rishqyrtim ishin zgjedhur, Arben Ismajli, Aleksandër Lumezi dhe Ikramije Bojaxhiu.

Si komision rezervë për këto panele, ishin zgjedhur anëtarët, Haxhi Sinanaj dhe Merita Bina-Rugova, raporton Betimi për Drejtësi.

Edhe paneli vlerësues për emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ishte zgjedhur në përbërje të njëjtë, sikurse ai për Kryeprokurorin e PSRK-së, me të vetmin dallim, që në vend të Zejnullah Gashit, në panelin për Kryeprokuror të Prishtinës, ishte zgjedhur Merita Bina – Rugova.

Ndërsa, në komisionin për rishqyrtim të këtij paneli, ishin zgjedhur, Ikramije Bojaxhiu, Haxhi Sinanaj, Arben Ismajli, ndërsa si komision rezervë, Zejnullah Gashi dhe Aleksandër Lumezi.

Të dy këto panele ishin votuar unanimisht nga ana e anëtarëve të KPK-së.

Konkursi për Kryeprokuror të Speciales dhe Prokurorisë së Prishtinës ishte mbyllur më 28 gusht.

Më 1 gusht të këtij viti, pas miratimit të Rregullores për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) kishte shpallur konkurs për emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës të së Kosovës (PSRK) dhe konkurs për emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

KPK kishte dështuar dy herë gjatë këtij viti që të zgjedh Kryeprokurorin e PSRK-së.