LAJMI I FUNDIT:

Bizneset kërkojnë rinegocim të pozitës së Kosovës në CEFTA

Bizneset kërkojnë rinegocim të pozitës së Kosovës në CEFTA

Përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë kanë kërkuar të rinegociohet marrëveshja e CEFTA-s, përkatësisht pozicioni juridik i Kosovës në CEFTA, ku Kosova përfaqësohet si UNMIK e jo si republikë.

Pos përfaqësimit të Kosovës me të drejta jo të barabarta, sipas Skënder Krasniqit nga Oda e Afarizmit dhe Berat Rukiqit nga Oda Ekonomike e Kosovës, kjo marrëveshje vazhdon të jetë e disfavorshme për prodhuesit vendorë andaj, sipas tyre, duhet të kërkohet edhe mbrojtja e prodhimeve vendore karshi pozicionit juridik.

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se është momenti që Kosova të tërhiqet nga CEFTA si UNMIK dhe të aplikojë si shtet me të drejta të barabarta. Ai ka treguar se para disa ditësh ka dhënë një propozim që Qeveria e Kosovës ta trajtojë me seriozitet çështjen e tërheqjes nga CEFTA, pasi aty po paraqitet si UNMIK.

“Do të ishte mirë që në të tërhiqemi nga CEFTA, pastaj të aplikojmë si shtet me të drejta të plota”, ka thënë Murati. Ai ka thënë se në këtë drejtim nuk duhen bërë hapa të ngutshëm. “Qeveria në kuadër të masave që është duke i trajtuar, duhet ta trajtojë edhe këtë çështje. Kushtimisht, pasi veçse ka filluar kjo luftë politike me Serbinë, Kosova duhet ta çojë deri në fund çështjen e tërheqjes nga CEFTA si UNMIK dhe aplikimit si shtet me të drejta të plota.

Pra, që Kosova të pranohet si republikë me të drejta të plota dhe jo përmes UNMIK-ut. Pastaj aplikohen mekanizma të caktuar që kur të bëhet marrëveshja për të hyrë në CEFTA mund të gjesh mundësi të mbrojtjes së ndonjë produkti apo sektori të caktuar. Problemi qëndron se Kosova nuk e ka bërë marrëveshjen dhe nuk ka hyrë drejtpërdrejt në marrëdhënie kontraktuale. Është krejt ndryshe kur ne si shtet hyjmë dhe bëjmë marrëveshje dhe i mbrojmë interesat tona në fushën e ekonomisë në kuadër të CEFTA-s”, ka thënë Murati.

Kurse kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se Kosova duhet të ripozicionohet në CEFTA.

“Duhet të ripoziciohemi dhe nuk mund të jetë më përfaqësimi përmes UNMIK-ut. Duhet ta kemi mundësinë ta kemi një ripozicionim në kuptimin e eliminimit të barrierave. Tash është vonë të dalim nga CEFTA, pasi marrëveshja e CEFTA-s është pjesë e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe nuk e kemi komoditetin për të dalë nga kjo marrëveshje”, ka thënë Rukiqi, duke shtuar se duhet të ketë vendim politik për pozicionimin e Kosovës në CEFTA.

“Duhet vendim politik i komitetit të përbashkët të CEFTA-s dhe kjo duhet të jetë një nga kushtet për ta hequr taksën, në mënyrë që Serbia ta pranojë Kosovën si palë dhe jo si UNMIK. Sa iu përket mekanizmave, duhet të shohim ku mund të fitojmë. Pra, është protokolli 5 për lehtësimin e tregtisë dhe protokolli 7 për zgjedhjen e konteksteve tregtare”, ka thënë Rukiqi.

Ndërkaq kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), Skënder Krasniqi, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se Oda e Afarizmit vazhdon të mbetet konsistente në kërkesën për tërheqje të Kosovës nga CEFTA, ku shteti ynë figuron si UNMIK. Krasniqi ka thënë se pozita aktuale e Kosovës në CEFTA është antikushtetuese dhe e disfavorshme për ekonominë vendore.

“Që nga fillimi Oda e Afarizmit ka kërkuar që Kosova të dalë nga CEFTA si UNMIK dhe t’i fillojë negociatat për hyrje si Republikë e Kosovës, duke filluar kështu të mbrohen produktet vendore. Kur është nënshkruar marrëveshja e CEFTA-s në vitin 2006, Kosova ka qenë i vetmi vend që asnjë produkt nuk e ka mbrojtur, ndërkohë që shtetet e tjera kanë mbrojtur me qindra produkte. Pra, kjo ka ndikuar që mos të zhvillohet ekonomia jonë, por ka filluar shkatërrimi i të gjitha produkteve”, ka deklaruar Krasniqi. Ai ka thënë se produktet në Kosovë nga të gjitha vendet kanë hyrë me doganë zero. “Kjo marrëveshje e ka dëmtuar zhvillimin tonë menjëherë pas pavarësisë dhe, në anën tjetër, ka bërë rritje të hyrave nga shtetet e CEFTA-s në Kosovë”, tha Krasniqi.

Mbledhja e Komitetit Ndërministror të CEFTA-s, e cila ishte paraparë të mbahej javën që lamë pas në Prishtinë, është shpallur e mbyllur nga kryesuesi i Kosovës, Durim Limaj, pasi përfaqësuesi nga Serbia i është referuar Kosovës si “institucion i përkohshëm dhe UNMIK”. /Epoka e Re/Telegrafi/