LAJMI I FUNDIT:

Besfort Xhafolli, ‘King Kongu’ shqiptar që ka filluar të lë gjurmë në Suedi

Besfort Xhafolli, ‘King Kongu’ shqiptar që ka filluar të lë gjurmë në Suedi

Boksi është njëri nga sportet individuale ku kosovarët gjithmonë kanë ditur të korrin suksese.

Ndonëse shumica e talentëve janë rritur në vende të huaja, nuk i kanë harruar asnjëherë rrënjët e familjes.

I tillë është edhe Besfort Xhafolli, kampioni suedez në boks i cili ka lindur në Ängelholm dhe është rritur në Krocksbäck të Suedisë, aty ku prindërit e tij kishin migruar nga Barileva drejt Evropës në vitin 1991, për të kërkuar një jetë më të mirë.

Në një intervistë për Telegrafin, Xhafolli ka treguar historinë e tij në këtë sport, rrugëtimin dhe përkushtimin e madh për të arritur aty ku është sot, kampion i Suedisë.

“Unë kam lindur më 20.02.1996 në Ängelholm dhe jam rritur në Suedi, aty ku prindërit e mi erdhën në vitin 1991 nga Barileva e Kosovës. Jam rritur në Krocksbäck me prindërit dhe vëllaun e madh Herolindin, i cili është gjithashtu aktiv në artet marciale por në fokus në MMA, në klubin “Redline” i cili është në pronësi të vëllait të Ilir Latifit”, tregoi fillimisht Xhafolli.

25-vjeçari zbulon se fillimisht ai në fëmijëri kishte luajtur futboll, por zgjodhi të kalojë në boks pasi ndjente se mund të shfaqte më shumë në një sport individual.

“Kur jam rritur unë kam luajtur vetëm futboll dhe kisha një talent edhe në atë sport. Kam luajtur futboll gjatë gjithë rinisë sime, por zgjodha të kaloja në boks pasi ndjeja se nuk mund të ndikoja në një sport ekipor siç është futbolli. Unë dua të tregoj paraqitjen time dhe potencialin tim të plotë dhe nuk mund ta bëja këtë në futboll, pasi të gjithë duhet të performojnë, por brenda arteve marciale gjithçka është individuale dhe më lejon të tregoj fuqinë time të vërtetë nëse kam një të tillë ku përfaqësoj vetëm veten time”, vazhdoi ai.

Për kampionin suedez nuk ishte aspak lehtë në fillimet e tij pasi ishte pak mbipeshë, por dëshira për të qenë më i miri në Suedi dhe përkrahja e vëllait bënë që ai të mos ndalej.

Ndikim të madh në edukimin e dy vëllezërve kishte edhe babai i tyre, i cili ishte edhe pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Në rininë time isha pak mbipeshë, por vëllai im më njohu me artet marciale kur isha 19 vjeç dhe pas stërvitjes së parë e kuptova menjëherë se kjo ishte diçka për mua. E dija se po të stërvitesha dhe të kisha disiplinë dhe durim si dhe stërvitje të fortë, do të jem më i miri në Suedi. Shumë ishin skeptikë kur fillova boksin në moshë më të madhe, por pas një edukimi nga babai ynë i cili ishte pjesëtar i UÇK-së në Kosovë, ne e dinim se asgjë nuk ishte e pamundur dhe se ne shqiptarët jemi më të fortë nga se mendojmë”

Tutje, Xhafolli tregon për stërvitjet e tij të përditshme, ku përfshihet kardio intensive por edhe zhvillim i vazhdueshëm në aspektin mendor.

“Unë e filloj ditën në mënyrën më të mirë pasi zgjohem në 5:00 të mëngjesit çdo ditë të javës dhe vrapoj të paktën 10 kilometra, dhe kjo është vetëm për stërvitjen time kardio pasi është një pjesë e rëndësishme e boksit. Më pas vazhdoj në shkollë ku studioj për ekonomi.

Pas shkollës shkoj në klub dhe stërvitem intensivisht për dy orë me trajnerin tim Luan Morina. Pastaj shkoj në shtëpi për të pushuar dhe për të mbledhur forcë, që pastaj në mbrëmje të takoj vëllanë tim Herolindin. Atij i tregoj se si ka shkuar gjithçka gjatë ditës, ku më pas së bashku reflektojmë se çfarë trajnimi më duhet që të përmirësohem për t’u zhvilluar.

Pastaj ka nevojë për zhvillim të vazhdueshëm edhe në aspektin mendore kështu që është mirë të reflektoni për ditën dhe të jeni të vetëdijshëm për mangësitë, në mënyrë që më pas të mund të kesh zhvillim. Unë stërvitem shumë me vëllanë tim Herolindin, pastaj ai më njeh më së miri dhe ne stërvitemi në boks për mua dhe MMA për të. Ai në shkurt do të garojë në kampionatin suedez”.

‘Albanian King Kong’ kishte një rrëfim të çmendur për rrugëtimin e tij drejt shpalljes kampion i Suedisë për vitin 2021, pasi në meçin final kishte boksuar me dorë të thyer – por që as kjo nuk e zbrapsi drejt qëllimit të tij.

“Ndeshjen e parë në kampionatin suedez e fitova me knockout në fund të raundit të parë. Në ndeshjen e dytë jam përballur me një boksier të kombëtares suedeze, i cili nuk mund të boksonte në ritmin tim dhe mora një fitore të pastër. Në ndeshjen e tretë dhe finale theva dorën dominuese (të djathtën), por zgjodha të fsheh dhimbjen sepse doja të fitoja kampionatin. Në raundin e tretë dola dhe e bëra raundin më të mirë, duke dhuruar goditje me të dyja duart dhe duke dominuar përgjatë gjithë raundit. Në fund u shpalla kampion i Suedisë për vitin 2021”

King Kongu shqiptar ka një rekord të shkëlqyer përgjatë karrierës së tij, pasi në krye me trajnerin Luan Morina, ka treguar paraqitje fascinuese, ku në 26 luftra të zhvilluara, ka gjithsej 20 fitore (10 me knockout), e gjashtë humbje.

“Fillova në MBC (Malmö Boxing Center) por pasi u largua trajneri im, u largova për në YMCA (Fightzone) ku mora një trajner të ri të quajtur Luan Morina. Në vitet e ardhshme zhvillova shumë ndeshje. Në 26 luftra të zhvilluara, kam gjithsej 20 fitore (10 me knockout), e gjashtë humbje. Me kalimin e viteve kam konkurruar në Suedi, Angli dhe Danimarkë dhe i kam treguar të gjithëve se kush është King Kongu shqiptar”.

Nofka e tij ka ngjallur kureshtje te publiku, e kosovari tregon se atë e ka marrë nga banorët Malmos.

“Nofka ‘Albanian King Kong’ vjen nga banorët e Malmös, që nënkupton se jam i ndërtuar si një gorillë, dhe fjala alban pasi jam një shqiptar i Kosovës dhe shumë krenar dhe tregon prej nga vij unë. Unë gjithmonë shkoj në luftë për të ‘shkundur’ direkt kundërshtarin dhe për të mos synuar pikë, për këtë arsye vjen emri ‘Albanian King Kong’.”

Krejt në fund, kampioni jonë tregon planin e tij për vitin e ri 2022. Ai pasi tronditi të gjithë Suedinë, do të tentojë ta bëjë këtë edhe në mbarë Evropën.

“Qëllimi im i parë ishte të bëhem kampion i Suedisë si shqiptar i Kosovës dhe u bëra vetëm pas gjashtë vite stërvitje dhe pa përvojë të mëparshme në këtë sport. Kam tronditur të gjithë Suedinë, edhe pse une fillova në moshë të vonë dhe kundërshtarët e mi kanë pasur disa vite përvojë dhe stërvitje. Por pas stërvitjes intensive, ia arrita qëllimit.

Në vitin 2022 plani im është të zhvilloj sa më shumë meçe ndërkombëtare pasi tani jam pjesë e kombëtares dhe shkoj në turne të mëdhenj për të krijuar më shumë përvojë në boks. Më pas kalojmë te profesionistët e boksit ndërkombëtarisht. Qëllimi është të jem tani më i miri në të gjithë rajonin nordik që nga Evropa, dhe qëllimi përfundimtar është të bëhem kampion bote si shqiptar i Kosovës dhe ky është një objektiv që do ta arrij pasi nuk jam çfarëdo luftëtari, unë jam King Kongu Shqiptar!”, përfundoi kampioni i Suedisë, Besfort Xhafolli.

/Telegrafi/

Në trend Sport

Më shumë
Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Përfaqësuesja e Kosovës
Një minutë në fushë kushton 2 milionë euro – dështimi më i madh i Chelseat nga blerjet e fundit

Një minutë në fushë kushton 2 milionë euro – dështimi më i madh i Chelseat nga blerjet e fundit

Premier League
I pyetur nga Bundesliga se cilit person të famshëm ia ka numrin e telefonit - Xhaka zgjodhi legjendën e futbollit

I pyetur nga Bundesliga se cilit person të famshëm ia ka numrin e telefonit - Xhaka zgjodhi legjendën e futbollit

Bundesliga
Kalimi te Real Madridi nuk ka të bëjë me paratë: Zbulohet pasuria neto e Kylian Mbappes

Kalimi te Real Madridi nuk ka të bëjë me paratë: Zbulohet pasuria neto e Kylian Mbappes

Ligue 1
Zbulohet emri i vërtetë i Kylian Mbappes - ka lënë të shokuar fansat e tij

Zbulohet emri i vërtetë i Kylian Mbappes - ka lënë të shokuar fansat e tij

Ligue 1
Agjenti i Alphonso Davies godet Bayernin, shpjegon situatën e kanadezit

Agjenti i Alphonso Davies godet Bayernin, shpjegon situatën e kanadezit

Bundesliga
Kalo në kategori