LAJMI I FUNDIT:

BERZH i jep Kosovës 39.9 milionë euro për infrastrukturën hekurudhore

BERZH i jep Kosovës 39.9 milionë euro për infrastrukturën hekurudhore

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, mori pjesë në nënshkrimin e grantit prej 39.9 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për të financuar modernizimin në tre faza të infrastrukturës hekurudhore të Kosovës. Marrëveshja e grantit është 38.5 milionë euro ndërsa pjesa e mbetur, janë bashkëfinancim nga Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Ministri i Financave, Bedri Hamza e nënshkroi marrëveshjen në emër të Kosovës në ceremoninë ku morën pjesë edhe Christian Danielsson, Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Drejtorja Menaxhuese e BERZH-it për Evropën Qendrore dhe Juglindore, znj. Charlotte Ruhe, ndërsa BERZH do të zbatojë grantin e WBIF.


Pas nënshkrimit të Marrëveshjes, ministri Hamza shprehu mirënjohje për këtë projekt me interes për vendin, ngase, theksoi ai, nuk është vetëm e rëndësishme në aspektin financiar, por edhe sinjalizon besimin që ka BE-ja, BERZH-i dhe partnerët tanë ndërkombëtarë ndaj nesh.

Ministrja Hoxha, theksoi rëndësinë e kësaj linje hekurudhore, jo vetëm si moment i ri i marrëdhënieve BE-Kosovë, por edhe leverdinë ekonomike që do të sjellë hekurudha.

“Ngjarja e sotme është një tjetër moment i rëndësishëm në marrëdhëniet Kosovë-BE. Unë dua të falënderoj BE-në dhe në veçanti Komisionin Evropian për mbështetjen e financimit të rehabilitimit të vijës hekurudhore X. Linja X do t’i sjellë qytetarët e Kosovës edhe më pranë BE-së dhe do të shërbejë si një nxitje më e madhe për ekonominë e Kosovës. Që nga fillimi i procesit të Berlinit kemi bërë një rrugë të gjatë. Në pak muaj ne do të kemi edhe më shumë të arritura. Dua ta falënderoj ministrin Hamza, Ruhe si dhe ekipet e tyre për punën e madhe për ta bërë të mundur këtë sukses”, theksoi Hoxha.

Rruga hekurudhore e Kosovës X, është pjesë e rrjetit hekurudhor qendror të Ballkanit Perëndimor, zgjerim i rrjeteve të transportit transeuropian, i cili është pjesë e përpjekjeve më të mëdha të BE-së për të nxitur lidhjen e transportit në Ballkanin Perëndimor.

“Modernizimi i infrastrukturës së transportit është një nga prioritetet kryesore të BERZh-it në Ballkanin Perëndimor, duke ndihmuar në përmirësimin e rrugëve tregtare brenda rajonit, në ndërtimin e ekonomive të integruara dhe në zhvillimin e bashkëpunimit ndërkufitar, si dhe në përmirësimin e jetës së njerëzve në Kosovë duke ofruar më mirë lidhjen me rajonin dhe Evropën më gjerë”, tha Charlotte Ruhe nga BERZH.

BERZH po mbështet gjithashtu përmirësimin e praktikave të menaxhimit të aseteve, pagesave të qasjes, hapësirave dhe mundësive të barabarta, me theks të veçantë në diversitetin e fuqisë punëtore dhe barazinë gjinore, në zbatimin e projektit.

BERZH filloi të investonte në Kosovë në vitin 1999. Deri më sot, Banka ka nënshkruar 53 projekte në vend, me më shumë se 227 milionë euro. Kosova u bë anëtare dhe vendi i BERZH-it në dhjetor 2012.

WBIF është një iniciativë e përbashkët e BE-së, institucioneve financiare ndërkombëtare si BERZH, donatorët bilateral dhe qeveritë e Ballkanit Perëndimor për të mbështetur zhvillimin dhe pranimin në BE, nëpërmjet sigurimit të financimit dhe asistencës teknike për investime strategjike, veçanërisht në infrastrukturë, efikasitet energjetik dhe zhvillim të sektorit privat. /Telegrafi/