Ylli i Real Madridit, Jude Bellingham, ka shprehur mirënjohjen e tij për trajnerin Jose Mourinho, duke e vlerësuar për mënyrën se si e ka përdorur në një rol më të avancuar, si numër 10.

Mesfushori anglez ka nisur në mënyrë mbresëlënëse sezonin, duke regjistruar një gol dhe dy asistime në dy ndeshjet e para, duke dhënë sinjale se mund të jetë një nga protagonistët kryesorë të skuadrës madrilene.


“Ndjehem sërish më i lirë. Kam më shumë liri për të vendosur vetë nëse duhet të tërhiqem, të qëndroj përpara apo të futem në zonë”, deklaroi Bellingham.

“Besoj se ky është pozicioni më i mirë për mua, ai që më lejon të shfaq të gjitha cilësitë e mia. Jam vërtet mirënjohës ndaj trajnerit që më ka besuar të luaj në këtë mënyrë”.

Bellingham theksoi gjithashtu rëndësinë e një starti të mirë, sidomos përballë një kalendari të ngjeshur që e pret Real Madridin me fillimin e Ligës së Kampionëve.

“Është shumë e rëndësishme të krijojmë ritëm. Tani na pret një periudhë e vështirë me fillimin e Ligës së Kampionëve dhe ndeshjet do të shtohen”.

“Është mirë që kemi pasur një fillim të mirë. Kanë ardhur shumë lojtarë të rinj, të cilët duhet të përshtaten, ndaj duhet të vazhdojmë në këtë mënyrë”.

“Jemi në një moment të mirë. Të gjithëve na është rritur adrenalina, po bëjmë presion shumë mirë dhe kjo është një nga gjërat më të rëndësishme – ta rikuperojmë shpejt topin pasi e humbasim”.

Në lidhje me përforcimet e reja të Real Madridit, Bellingham tha se ato kanë lënë përshtypje shumë të mirë që prej ardhjes në klub.

“Kanë lënë një përshtypje shumë të mirë te grupi, si njerëz – që është gjëja më e rëndësishme – ashtu edhe si futbollistë. Po bëjnë shumë mirë. Nuk është e lehtë të mbërrish në një klub me kaq shumë presion, me një trajner dhe staf të ri”.

“Ka shumë gjëra për t’u përvetësuar, por ata po përshtaten pa probleme. Është kënaqësi t’i kemi këtu”, përfundoi anglezi. /Telegrafi/

telegrafi sport app