Beckham: Sneijder mund ta zëvendësojë Scholesin

Largimi i Scholes nga futbolli pas 17 vitesh në Old Trafford e ka lënë menaxherin Sir Alex Ferguson me një zbrazëtirë në qendër të mesfushës në prag të sezonit të ri.
Luka Modric dhe Samir Nasri janë përmendur si pasues të mundshëm të tij, por Sneijder duket se është i dëshiruari te kampioni i Anglisë. Dhe, ish-mesfushori i United, David Beckham, mendon se Sneijder do të ishte një zëvendësim i përkryer për Scholes.
“Për të zëvendësuar Scholesy-n, ata duhet të sjellin dikë të veçantë. Ka shumë biseda për Sneijder dhe ai është një lojtar aq i talentuar, jam i sigurt se ai do të përshtatej në ekipin e Manchester United”.
“Ai mund të bëjë punë atje, pa dyshim. Scholesy është një prej lojtarëve për të cilin ata kërkojnë zëvendësim. Ai ishte një lojtar aq i talentuar dhe mungesa e tij do të ndjehet”, ka thënë Beckham. /Telegrafi/















































