Basketbollistët e Pejës, triumfin ua kushtojnë “Shqiponjave”

“Ia dedikoj fitoren tifozëve që na kanë përkrahur vazhdimisht, si në humbje ashtu edhe në fitore”, ka thënë Hajrizi.
Ish-lojtari i Trepçës beson se Peja mund të arrijë lartë edhe në Ligën Ballkanike, ku tashmë është në gjysmëfinale dhe në Superligën e Kosovës.
“Jemi shumë mirë edhe në Ligën Ballkanike dhe besoj se do të shkruajmë historinë duke bërë krenarë të gjithë shqiptarët. Po ashtu shpresoj që edhe Prishtina të arrijë lartë në Ligën Ballkanike”, ka shtuar Hajrizi.
Lojtari tjetër i Pejës, Alban Veseli, e ka quajtur fitore të madhe atë kundër Prishtinës.
“Është një fitore mjaft e madhe, duke ditur se Prishtina ka një ekip shumë të mirë. Kemi qenë shumë të ngarkuar, por megjithatë kemi arritur synimin”, ka thënë Veseli, teksa ka përmendur edhe terrenin e vështirë në Suharekë.
Veseli ka thënë se shpreson që ky të jetë vetëm trofeu i parë për Pejën në këtë sezon, përcjell koha.net.
“Synojmë edhe trofeun në kampionat, por edhe në Ligën Ballkanike. Atje besoj se patjetër do të jemi në finale, sepse kemi orar të mirë të ndeshjeve. Jam shumë optimist për këtë”, ka thënë ish basketbollisti i Prishtinës.
Fitorja kundër Prishtinës atij nuk i ka dhënë ndonjë emocion të veçantë, meqë ka kujtuar se dy vjet më parë me Pejën e ka mposhtur këtë ekip.
Në fund, Veseli ka falënderuar grupin e tifozëve nga qyteti perëndimor i Kosovës, “Shqiponjat”.



















































