Bashkimi kërkon të ndalë serinë negative me Yllin

Bashkimi në mesjavë largoi Elijah Obaden e Tray Woodallin, ndërsa angazhoi Mark Dawsonin e Jacques Streeterin, shkruan “Koha Ditore”.
Tani Kosova e Re Bashkimi synon të ndryshojë edhe bilancin nga përballjet me Golden Eagle Yllin e Suharekës. Ylli në pranverë e ka mposhtur dy herë Bashkimin, në kuadër të kampionatit dhe të garave për Kupë.
Bashkimi e pret Yllin të shtunën (sot, 20:15). Ndeshja i takon xhiros së 22-të të ETC Superligës së Kosovës në basketboll. Me këtë xhiro nis faza e fundit (4) e garave në stinorin e rregullt.
Bashkimi e Ylli janë në garë për plejof. Bashkimi është i treti me 34 pikë, ndërsa Ylli i katërti me 32 pikë. Prin Prishtina me 41 pikë, e përcjellë nga Peja me 39. Hyrjen në plejof e synon edhe Trepça që renditet e pesta me 31 pikë. Katër të parët në klasifikim luajnë në garat shtesë, përmes të cilave shpallet kampioni.



















































