LAJMI I FUNDIT:

Barella mungon në dy ndeshjet ndaj Liverpoolit në Ligën e Kampionëve

Barella mungon në dy ndeshjet ndaj Liverpoolit në Ligën e Kampionëve

UEFA e ka dënuar zyrtarisht Nicolo Barellan me dy ndeshje, kështu që mesfushori i Interit do të mungojë në të dyja përballjet kundër Liverpoolit në Ligën e Kampionëve.

Ashtu siç pritej, organi drejtues i futbollit evropian e ka dënuar italianin me dy ndeshje pasi mori një karton të kuq direkt në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit në dhjetor.


Mediat në Itali kishin shkruan se Barella do të marrë një dënim me dy ndeshje, ndërsa UEFA sot e ka konfirmuar pezullimin e mesfushorit.

La Gazzetta dello Sport konfirmoi se Interi nuk do ta apelojë vendimin.

Interi është kualifikuar në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve për herë të parë në dhjetë vjet.

Ata ishin shortuar me Ajaxin, por më pas u çiftuan kundër Reds të Jurgen Kloppit.

Kampionët e Serisë A do të presin Liverpoolin në San Siro më 16 shkurt dhe do të vizitojnë Anfield Road më 8 mars.

Joaquin Correa gjithashtu do të mungojë në ndeshjen e parë në Milano për shkak të një dëmtimi. /Telegrafi/