Kandidati për deputet nga LDK, Bardhyl Hasanpapaj, ka ndarë një rrëfim emocional për përjetimet e tij gjatë luftës së fundit në Kosovë, duke kujtuar sakrificën e të rinjve që iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë emisionit “Zgjohu”, Hasanpapaj tregoi se mban mend ushtarë të UÇK-së që vinin nga vende të ndryshme të Evropës për t’iu bashkuar luftës për çlirimin e Kosovës, shkruan Gazeta Infokus.


Ai kujtoi veçanërisht tre ushtar që kishin ardhur nga Gjermania dhe Zvicra dhe ata ishin nën moshën 20-vjeçare dhe shfaqnin entuziazëm e vendosmëri për të marrë pjesë në luftë.

“Por e mbaj mend shpesh u ndalnin në Bajram Curr, dhe vazhdonin nga aty, ishte intensifiku lufta në Koshare, dhe i mbaj mend 3 ushtar që hipën tek mikrobusi, që i dërgonin në Koshare dhe ishin shumë të rinjë”, ka thënë ai.

Hasanpapaj tha se pas rreth një jave kishte parë në morgun e Bajram Currit njërin prej atyre ushtarëve, i cili kishte rënë në luftë.

“E mbaj mend si sot fytyrën e tij. Shkonte me aq gëzim në luftë, një fytyrë e njomë. Kur e pashë në morg, e kuptova sa e rëndë është lufta dhe sa e rëndë është për ata që kanë ra dhe nganjëherë shpesh e harrojmë sakrifixën që e kanë bo të rinjtë e të rejat në luftën e fundit në Kosovë”, u shpreh ai.

Hasanpapaj gjithashtu theksoi se liria e Kosovës është fituar me gjakun e dëshmorëve dhe se shoqëria nuk duhet të harrojë sakrificën e të rinjve dhe të rejave që dhanë jetën gjatë luftës.