LAJMI I FUNDIT:

Barcelona triumfon thellë ndaj Celta Vigos dhe rimerr kreun në La Liga – Messi shkëlqen me het-trik

Barcelona triumfon thellë ndaj Celta Vigos dhe rimerr kreun në La Liga – Messi shkëlqen me het-trik
Barcelona vs Celta Vigo (Foto: Alex Caparros/Getty Images/Guliver)

Barcelona ka fituar me rezultat 4-1 përballjen ndaj Celta Vigos të vlefshme për javën e 13-të në La Liga.

Skuadra e Ernesto Valverdes ka arritur t’i kthehet fitores duke mposhtur Celta Vigos pas humbjes nga Levante.


Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë dhe raste më të shumta të Barcelonës, e cila shënoi edhe dy gola, kundrejt një të Celtas.

Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 23-të dhe ishte Lionel Messi, i cili shënoi nga pika e bardhë për 1-0.

Messi hapi serinë e golave nga penalltia (Foto: Alex Caparros/Getty Images/Guliver)

Celta Vigo arriti të kthehet në lojë në minutën e 42-të me anë të Lucas Olaza që shënoi gol të bukur nga gjuajtja e lirë për 1-1, por festa e tyre zgjati vetëm tre minuta pasi Messi, shënoi gol identik nga gjuajtja e lirë për 2-1.

Në pjesën e dytë, Barcelona vazhdoi me lojë më të mirë dhe dominim, teksa shënoi edhe dy gola tjerë për të siguruar fitoren.

Goli i parë në këtë pjesë erdhi në minutën e 48-të me Messin, që kompletoi het-trikun me një gol të bukur nga goditja e dënimit, ndërsa Sergio Busquets (85′) vulosi rezultatin përfundimtar 4-1.

Argjentinasi shënoi het-trik (Foto: Alex Caparros/Getty Images/Guliver)

Me këtë fitore, Barcelona rimerr pozitën e parë me 25 pikë, po aq sa Real Madridi i dyti, ndërsa Celta renditet e 18-ta me nëntë pikë.

Në ndeshjen e radhës, katalunasit udhëtojnë te Leganes, ndërsa Celta udhëton te Villarrealit. /Telegrafi/