Barcelona identifikon yllin e Tottenhamit si përforcimin ideal për mbrojtjen

Sipas Diario Sport, Barcelona vazhdon ta monitorojë mbrojtësin e Tottenham Hotspur, Cristian Romero, në prag të një lëvizjeje të mundshme gjatë kësaj vere.
Qendërmbrojtësi argjentinas thuhet se është i vendosur të largohet nga Spurs, pavarësisht nëse klubi arrin të mbijetojë në Ligën Premier apo përfundon duke rënë nga liga.
Tottenhami po këmbëngul në klauzolën e lirimit prej 60 milionë eurosh, por çmimi mund të negociohet duke pasur parasysh dëshirën e mbrojtësit për një hap të ri në karrierë. Vlera e tij do të binte ndjeshëm në rast se Spurs do të binin nga elita e futbollit anglez.
Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, po përshpejton lëvizjet në afatin kalimtar, ndërsa forcimi i repartit mbrojtës mbetet prioritet.

Romero raportohet se është i interesuar për një transferim në “Camp Nou”, ndërkohë që edhe Atletico Madrid po e ndjek situatën e tij.
Fituesi i Kupës së Botës 2022, i cili aktualisht po rikuperohet nga një dëmtim në gju, pritet të jetë pjesë edhe e edicionit të këtij viti.
Ndërkohë, Barcelona po e shqyrton gjithashtu mbrojtësin e Romës, Evan Ndicka, si një alternativë të mundshme./Telegrafi/



















































