Një baba afgan i dëshpëruar thotë se po planifikon ta ‘shesë’ vajzën e tij shtatëvjeçare për martesë sepse kjo do t'i sigurojë ushqim familjes për katër vjet.

Abdull Rashid Azimi, nga provinca Ghor e Afganistanit, i tha BBC-së se situata ekonomike në vendin e tij, i cili tani drejtohet nga talebanët, është aq e keqe saqë është detyruar të bëjë këtë zgjedhje të tmerrshme.


"Kthehem nga puna me buzë të thata, i uritur, i etur, i dëshpëruar dhe i hutuar. Fëmijët e mi vijnë tek unë duke thënë baba, na jep pak bukë. Por çfarë mund të jap? Ku është puna", tha ai.

Ai theksoi se është aq i dëshpëruar për para saqë duhet të ‘shesë’ një nga dy binjaket shtatëvjeçare, ose Roqia ose Rohila, transmeton Telegrafi.

"Nëse shes një vajzë, mund t'i ushqej fëmijët e tjerë për të paktën katër vjet. Më thyen zemrën, por është e vetmja mënyrë", shtoi ai.

Ai nuk është i vetmi burrë që ndërmerr këtë veprim. Saeed Ahmad tha se e kishte shitur tashmë vajzën e tij pesëvjeçare, Shaiqua, pasi ajo u sëmur me apendicit dhe një cist në mëlçi:

"Nuk kisha para për të paguar shpenzimet mjekësore. Kështu që ia shita vajzën time një të afërmi", theksoi ai.

Ai i mblodhi paratë duke e shitur atë dhe duke bërë një marrëveshje me të afërmin e tij: "Nëse do ta kisha marrë të gjithë shumën në atë kohë, ai do ta kishte marrë me vete. Kështu që i thashë të më jepte mjaftueshëm për trajtimin e saj tani, dhe në pesë vitet e ardhshme mund të më jepje pjesën tjetër, pas së cilës mund ta merrje. Ajo do të bëhet nusja e tij". /Telegrafi/