LAJMI I FUNDIT:

Babadimri i dehur

Ministri i Brendshëm na lehtësoi shumë me sqarimet e tij lidhur me tenderët publik te ne. Krejt paska qenë transparente. Ka mundur të përzihet kush ka dashtë! Në fakt, ai foli për tenderin e pasaportave, por si duket praktikat kanë qenë të njëjta për të gjithë tenderët! Mbetet të shihet kur gjyqësia të marrë shenjën se mundet me ecë me lëndët! Se gjyqësia është e pavarur te ne!

Sipas ministrit të Brendshëm, pak a shumë në interpretim të lirë, Delli edhe ambasadorët e tjerë, ministrat, deputetët apo kujt ju paska q… paska ndërhyrë duke kërkuar të fitojë tender për kompaninë e vet. Se ambasadorët këtu nuk I përfaqësojnë shtetet e veta, por korporatat! Edhe deputetët e ministrat nuk i përfaqësojnë qytetarët, por kompanitë!


Ky ishte mësimi i pare nga diplomacia të cilin na e mësoi ministri ynë që nuk rren kurrë!

Pastaj, futet në përrallë Kryeministri, i cili kur e futë gishtin në Parlament e përzien e dhe e bënë lëmsh demokracinë, institucionet e deri te Gjykata Kushtetuese! Prandaj, mendohet se është i pazëvendësueshëm! Nëse është nevoja të ndërpritet edhe seanca e parlamentit, ai e ndërpret, derisa të bëhen numrat! E Kupa nuk po e kupton lojën! Ai po kujton që ambasadorët përfaqësojnë shtetet, e deputetët qytetarët!

Spajdermeni i hapë krahët sikur shqiponja, e fluturon para deputetëve dhe publikut të hipnotizuar! Do të pyeteni përse Spajdermeni e jo Supermeni? Sepse, si po duket krejt kjo nuk ka të bëjë veç me fuqinë e individit, por me fuqinë e rrjetave! Pra, spiderman! Njeriu merimangë! Njeriu i rrjetave!

Krejt këto janë normale. Kështu po thotë Ministri i Brendshëm, pa e rrahur as qerpikun. Sa po e kuptoj unë, ai po do me thënë se ligji është formalitet! Se nuk më kujtohet që diku është paraparë që para se të jepet një tender me i pyet ambasadorët, ministrat, deputetët! Nëse nuk gabohem, as Ministri nuk ka të drejtë të përzihet në procedurat e tenderimit! Por, kush i ndalë ministrat tonë. Pastaj, Ministri po thotë se pak a shumë gjithkund kështu veprohet! Është normale!

A e luajmë nj lojë sikur në klasë të parë! Unë po ju pyes a fluturon gomari? Ju përgjigjuni me po ose jo! A fluturon gomari? Fluturon qysh jo!

A fluturon ministri? Fluturon! A fluturon qeveria? Qysh jo, fluturon more!

A fluturon flutura? E kjo është pyetje pa lidhje, këtë e dinë edhe prokurorët tone!

E unë natyrisht po tregoj përralla! Këtë punë e kanë kolumnistët! Pushteti ynë është i ndarë prej atij të gazetarëve. Ata flasin me fakte e burime qoftë edhe anonime!

Por, ka ardhur koha që gjërat të thuhen troç! Pa metafora! Kështu po më thoshte një mik i imi “revolucionar”, mbase paksa i vonuar, por gjithsesi ithtar i ndryshimeve të shpejta edhe me çdo kusht! Më kot po përpiqesha t’i thosha se bota është shumë, shumë më e moçme se kjo konjukturë dhe se metafora është formë më e zhvilluar e komunikimit sesa të folurit troç! Pastaj, këtij populli askush asnjëherë nuk i ka folur troç! Nuk zë besë! Për të mbijetuar atyre u është dashur gjithnjë të jenë më të zgjuar se sundimtarët! Ndër ne, pra gjatë tërë ekzistencës tonë, është folur me metafora. Me rrotulla. Sa herë dikush ka folur pa rrotulla, ka përfunduar keq! E populli nuk do të besojë në fakte, se nuk do të përfundojë keq! Por, tjera kohë ishin ato!

Tash, Viti i Ri, 2013, sapo ka ardhur. Babadimri i dehur ende nuk i ka hequr rrobat e kuqe! Numër baksuz ky 13-tshi, por për ne si popull edhe mund të jetë me fat, pasi numrat e zakonshëm rrallë na kanë sjellë mbarësi!

Mbase kryeministrit tonë pehlivan do t’i merren mendtë pak duke bërë pirueta mbi kokat tona, e duke na thënë: “S’keni çka më bëni, deri më 2017-tën, këtu lart më keni”! Por, ne nuk kuptojmë troç, madje as atë që e shohim me sytë tanë!

Nuk është e mundur, po thoshte dikush plot habi derisa po e shihte një akrobat cirku që po hidhej nga “dega në degë” me akrobacionet e tij marramendëse! Kurrqysh nuk po binte edhe pse të gjithëve që po shikonin me kokën lartë, po u merreshin mendtë! Dikush po e mban me litarë! Përndryshe, do të kishte rënë moti! Pastaj, akrobati i cirkut, po e priste njërën degë mbi të cilën ishte ulur, pastaj tjetrën…!

Prapë nuk po binte poshtë! Më në fund, e kuptuam edhe ne që po shikonim nga poshtë të mahnitur: ai po fluturon! A fluturon qeveria? Fluturon po çka!

Ec e fol pa rrotulla pastaj! Më kot dikush përpiqej të na bindte se ishte veçse një kukull me penj! Ne ishim të bindur se po fluturon! Se qysh të vegjël e kemi luajtur lojën “fluturon, fluturon”. Mësuesi na thoshte “fluturon gomari”, e ne habiteshim dhe e ngrinim dorën: “Fluturon pra”! Fëmijë hesapi!

Kur isha i vogël shqyhesha së qeshuri kur një hero i filmave vizatimorë duke ndenjur ulur mbi një degë po e priste atë dhe papritmas befasohej kur po binte poshtë duke bërë grimasa tmerri. E si mos të qeshje. Kjo nuk ngjanë në jetën reale, por veç në filma, mendonim! Nganjëherë, heroi ynë ngjitej nga dega në degë dhe në fund fare vinte në maje e nuk kishte ku të shkonte më tutje, derisa ariu po e ndiqte…!

Por, ai ishte njeriu, ne gjithsesi nuk ishim me ariun. Ia mbanim anën njeriut që po ikte!

Por, të kthehemi te njeriu mbi dru dhe dega e ullirit në të cilën ai po rri. Në fakt, ai tashmë po e pret atë, duke bërë pirueta cirku i lidhur në litarët e grupeve ndërkombëtare e vendore të interesit.

Ndërkohë, Ministri ynë nuk arrin të fluturojë! Kanë dalë në publik deklarata tepër serioze të cilat e drejtojnë vëmendjen dhe dritat e reflektorëve dika kah nuk bënë!

Të shpresojmë se në këtë vend askush më nuk ka nevojë të i bëjë keq vetes për të mbyllur rrugën e hetimeve! Duhet thënë gjërat troç, po thoshte një miku im “revolucionar”! Të lumtë ministër i Brendshëm! Më qartë s’ka ku shkon! E kalove rubikonin! Por, prokurorët tanë nuk i lexojnë deklaratat e qeverisë! Pushtetet janë të ndara! Ata mbase lexojnë veç metaforat dhe aty mbase me inercion e kërkojnë armikun e brendshëm apo të jashtëm!

A fluturon Babadimri, të dashur miq, vendorë dhe ndërkombëtarë?

Fluturon, qysh jo! Babadimri, ende me rrobat e kuqe, po fle i dehur në prag të qeverisë! Kishte sjellë dhurata dhe kishte ndërhyrë për një tender! Është normale!

Askush nuk të ndihmon gratis! Gëzuar Babadimër!