eksperti-banner

Mrika Temali

Në Shqipëri, shoqëria civile e vërtetë nuk është më në sallat e konferencave të financuara nga donatorët. Ajo është në rrugë.


Tridhjetë e pesë vjet pas rënies së komunizmit, Shqipëria ofron një paradoks të hidhur. Bashkimi Evropian, qeveritë perëndimore dhe fondacionet ndërkombëtare kanë shpenzuar miliona, në fakt dhjetëra miliona në emër të ndërtimit të shoqërisë civile, forcimit të demokracisë, mbrojtjes së hapësirës qytetare dhe fuqizimit të qytetarëve. Megjithatë, në një nga momentet më dramatike politike të historisë postkomuniste të vendit, pjesa më e madhe e asaj që zyrtarisht quhet “shoqëri civile” është ose e heshtur, ose mungon, ose është vendosur rehatshëm në orbitën e pushtetit.

Ky nuk është thjesht dështim terminologjie. Është dështim i demokracisë. Për dekada me radhë, Shqipëria ka qenë vendi i një industrie të tërë projektesh për demokracinë: seminare, programe për ngritje kapacitetesh, takime konsultative, raporte monitorimi, strategji donatorësh, forume publike, tryeza mbi hapësirën qytetare, punëtori për qeverisjen e mirë, integritetin zgjedhor, antikorrupsionin, lirinë e medias dhe integrimin evropian. Një fjalor i tërë demokracie ka lulëzuar. Por, realiteti i demokracisë është vyshkur.

Rezultati është se një pjesë e madhe e të ashtuquajturës shoqëri civile në Shqipëri është shndërruar në një institucion në shërbim të sistemit që duhej të mbikëqyrte. Ajo flet gjuhën e llogaridhënies, por shmang mbajtjen përgjegjës të pushtetit. Ajo flet në emër të qytetarëve, por rrallë qëndron me ta kur ata përballen me abuzimin. Ajo flet për hapësirën qytetare, ndërkohë që dështon të mbrojë hapësirën e vërtetë qytetare: atë ku qytetarët mblidhen, protestojnë dhe rrezikojnë përballjen me një shtet arrogant.

Kjo nuk do të thotë se të gjitha organizatat janë të komprometuara, apo se të gjithë aktivistët kanë heshtur. Kjo do të ishte e padrejtë dhe e pasaktë. Edhe në një mjedis të vështirë dhe gjithnjë e më armiqësor, një numër i vogël organizatash dhe aktorësh qytetarë janë përpjekur t’i rezistojnë zbutjes së përgjithshme të shoqërisë civile. Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka vazhduar të ngrejë zërin për të drejtat e njeriut, liritë dhe standardet demokratike. Qëndresa Qytetare është përpjekur të mobilizojë shoqërinë kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin publik.

Në mënyrë të veçantë, një numër organizatash dhe aktivistësh mjedisorë meritojnë vlerësim për këmbënguljen, guximin dhe qartësinë e tyre. Ata kanë qenë shpesh ndër të paktët që janë përballur me projekte zhvillimi shkatërruese, kanë mbrojtur interesin publik dhe u kanë dhënë zë komuniteteve të shpërfillura nga pushteti. Por, këto përjashtime vetëm sa e bëjnë më të dukshëm dështimin e madh. Makineria dominuese e shoqërisë civile, sektori i profesionalizuar, i ushqyer nga donatorët dhe në kërkim të aksesit te pushteti, ka dështuar në masë të madhe të veprojë si kundërpeshë demokratike. Shumë shpesh, ajo ka parapëlqyer sigurinë ndaj së vërtetës, aksesin ndaj pavarësisë dhe pjesëmarrjen e sjellshme ndaj përballjes publike. Ka qenë e pranishme në proceset konsultative, por mungon në momentet e guximit qytetar.

Ka zotëruar gjuhën e demokratizimit, por shpesh ka shmangur pyetjen politike qendrore të kohës sonë: përqendrimin e pushtetit. Shoqëria civile e vërtetë në Shqipëri sot nuk gjendet në sallat e konferencave. Ajo është në rrugët dhe sheshet e Tiranës, në qytetet e Shqipërisë dhe në kryeqytetet e Evropës, ku shqiptarët e diasporës janë mbledhur për të protestuar. Ajo përbëhet nga djem dhe vajza të reja, nga nëna me fëmijë, nga qytetarë që nuk kanë kontrata donatorësh, nuk kanë raporte politikash, nuk kanë dukshmëri ndërkombëtare, por kanë guxim. Ata protestojnë kundër një sistemi politik që është demokratik vetëm në formë, kundër arrogancës së pushtetit, kundër një regjimi institucionesh të kapura, zgjedhjesh të vjedhura, konkurrence të dobësuar dhe sundimi kleptokratik. Ata janë shoqëria civile që Shqipëria duhej të kishte ndërtuar. Për vite me radhë, shqiptarët kanë parë shkrirjen e shtetit me partinë, të qeverisë me biznesin, të detyrës publike me pasurimin privat. Ata kanë parë institucionet të humbasin pavarësinë, zgjedhjet të humbasin besueshmërinë dhe burimet publike të kthehen në instrumente kontrolli politik. Ata kanë parë vendin të zbrazet nga një eksod demografik me përmasa biblike.

Qindra mijëra qytetarë janë larguar, jo thjesht në kërkim të pagave më të mira, por në ikje nga pashpresa, poshtërimi dhe mungesa e së ardhmes. Dhe, përballë gjithë kësaj, shoqëria civile zyrtare ka mbetur kryesisht e heshtur. Ajo heshti kur shteti dhe pushteti u bënë një. Heshti kur qytetarët humbën besimin te zgjedhjet. Heshti kur institucionet u kthyen në zgjatime të ekzekutivit. Heshti kur arroganca zëvendësoi llogaridhënien. Heshti kur të rinjtë e Shqipërisë, kapitali njerëzor mbi të cilin mund të ndërtohet çdo e ardhme demokratike, braktisën vendin në numra tragjikë.

Tani, pikërisht në momentin kur guximi i vërtetë qytetar është i dukshëm në rrugë, ne ftohemi edhe një herë të diskutojmë për “hapësirën qytetare”, “demokratizimin”, “rrëshqitjen demokratike”, “integritetin zgjedhor”, “lirinë e medias”, “konsultimin publik” dhe “protestat si shprehje demokratike”. Ironia është pothuajse e padurueshme. Nuk është se këto tema nuk janë të rëndësishme. Përkundrazi, ato janë thelbësore. Por, kur diskutohen në një univers paralel, të shkëputur nga realiteti politik i vendit, ato bëhen pjesë e problemit. Ato kthehen në ritual demokratik pa pasoja demokratike. Prodhojnë rekomandime, por jo rezistencë; raporte, por jo përgjegjësi; gjuhë, por jo të vërtetë. Shqipëria e konsultimeve zyrtare dhe Shqipëria e qytetarëve në rrugë duken sot sikur u përkasin dy botëve të ndryshme.

Njëra flet me fjalorin e lëmuar të projekteve evropiane. Tjetra flet me gjuhën e papërpunuar të zemërimit, dinjitetit dhe frikës së kapërcyer. Njëra kërkon rëndësi procedurale. Tjetra kërkon liri. Ky duhet të jetë një moment reflektimi serioz jo vetëm për sektorin e OJQ-ve në Shqipëri, por edhe për Bashkimin Evropian dhe Perëndimin në përgjithësi. Nëse pas tri dekadash e gjysmë dhe pas investimesh të mëdha financiare, strukturat e ngritura në emër të shoqërisë civile janë të paafta ose të pavullnetshme të përballen me degradimin demokratik, atëherë diçka ka shkuar thellësisht gabim. Ky nuk është vetëm dështim i Shqipërisë. Është edhe dështim i asistencës perëndimore për demokracinë. Shumë shpesh, donatorët kanë shpërblyer formën dhe jo përmbajtjen. Kanë parapëlqyer partnerë të parashikueshëm në vend të zërave të guximshëm. Kanë financuar prodhimin e raporteve, ndërkohë që kanë shpërfillur prodhimin e frikës. Kanë ngatërruar OJQ-të e profesionalizuara me jetën qytetare. Kanë trajtuar aksesin te qeveria si ndikim dhe ndikimin si rezultat. Duke vepruar kështu, kanë ndihmuar në krijimin e një klase aktorësh të shoqërisë civile që flasin rrjedhshëm gjuhën e donatorëve, por janë gjithnjë e më të shkëputur nga vetë shoqëria. Prandaj, ky dallim ka rëndësi.

Shqipëria ka shoqëri civile. Por, ajo nuk është domosdoshmërish aty ku donatorët janë mësuar ta kërkojnë. Nuk është gjithmonë te organizatat e regjistruara, projektet e financuara, rrjetet e politikave apo platformat rajonale. Ndonjëherë është në një fshat që i reziston shkatërrimit të tokës së vet. Ndonjëherë është te të rinjtë që denoncojnë korrupsionin. Ndonjëherë është te aktivistët mjedisorë që mbrojnë një lagunë, një pyll, një zonë të mbrojtur apo një vijë bregdetare. Ndonjëherë është te qytetarët që refuzojnë të pranojnë se prona publike, zgjedhjet dhe institucionet u përkasin atyre që janë në pushtet. Një shoqëri civile që nuk flet kur demokracia sulmohet, nuk është shoqëri civile. Një shoqëri civile që ka më shumë frikë të humbasë aksesin sesa të humbasë lirinë, e ka humbur tashmë misionin e saj. Një shoqëri civile që monitoron gjithçka, përveç përqendrimit të pushtetit, nuk po mbron demokracinë; po dekoron rënien e saj.

Protestat në Shqipëri kanë zbuluar diçka të thellë. Frika ka filluar të ndryshojë anë. Qytetarët që u trajtuan si pasivë, të lodhur apo të dorëzuar po tregojnë se shoqëria nuk ka vdekur. Ajo ishte thjesht e përjashtuar nga arkitektura zyrtare e “shoqërisë civile”. Djemtë dhe vajzat në sheshe, prindërit që sjellin fëmijët, diaspora që ngre zërin jashtë vendit , ata nuk janë fusnotat e demokratizimit. Ata janë teksti i tij kryesor. Për Bashkimin Evropian, ky është një paralajmërim. E ardhmja evropiane e Shqipërisë nuk mund të ndërtohet mbi narrativat e qeverisë dhe koreografinë e OJQ-ve. Ajo nuk mund të mbështetet te raporte që shmangin emërtimin e problemit qendror: kapjen e pushtetit. Nëse BE-ja është serioze për zgjerimin, sundimin e ligjit dhe transformimin demokratik, duhet të shohë përtej teatrit zyrtar të reformave. Duhet të dëgjojë qytetarët, jo vetëm institucionet. Duhet të pyesë pse një vend që lavdërohet për progres prodhon kaq shumë zemërim qytetar, kaq shumë emigrim masiv dhe kaq shumë mosbesim ndaj rendit të vet demokratik.

Shqipëria nuk ka nevojë për një fjalor tjetër mbi hapësirën qytetare. Ka nevojë për liri qytetare. Nuk ka nevojë për një tjetër konsultim mbi rrëshqitjen demokratike. Ka nevojë për guximin për të thënë se demokracia është dëmtuar rëndë. Nuk ka nevojë për shoqëri civile si aksesor të pushtetit. Ka nevojë për shoqëri civile si kundërpeshë ndaj pushtetit. Rrugët e Shqipërisë po japin sot mësimin më të qartë për demokratizimin. Ai nuk është i shkruar në dokumente projektesh. Nuk moderohet në takime online. Është i shkruar në fytyrat e qytetarëve që kanë vendosur se heshtja nuk është më e mundur. Kjo është shoqëria civile e vërtetë e Shqipërisë. Dhe, ndoshta, pas tridhjetë e pesë vjetësh, ajo më në fund është kthyer. /Gazeta “Panorama”/