eksperti-banner

Kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku, i është kundërpërgjigjur zyrtares së Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, pasi ajo e përmendi në një postim lidhur me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, duke e ndërlidhur me “krimin e organizuar”.

Përmes një reagimi publik, Lushtaku ka ngritur një sërë pyetjesh ndaj Mihalit, duke vënë në dyshim rolin dhe ndikimin e saj në Lëvizjen Vetëvendosje dhe në institucionet e Kosovës.


“Meqë së fundi më ke përmendur shpesh, ta dish që grupi i vetëm kriminal për të cilin duhet të japni shumë përgjigje jeni ju”, ka shkruar Lushtaku.

Ai ka pyetur Mihalin se kush është ajo që, sipas tij, kontrollon çdo gjë në Vetëvendosje, duke kërkuar përgjigje se kush e financon dhe cili është misioni i saj në Kosovë.

“Kush je ti që kontrollon çdo gjë në Vetëvendosje? Si është e mundur që Vetëvendosje dhe i gjithë pushteti i saj në Kosovë të drejtohet nga një greke e dyshimtë? Prej nga vjen dhe kush të qëndron prapa? Kush të financon ty? Çfarë misioni ke në Kosovë? Për kë punon ti?”, ka shkruar Lushtaku.

Në fund të reagimit, ai ka ngritur edhe pyetjen nëse Mihali është sjellë në Kosovë nga “shërbimi grek, serb apo rus”.

Reagimi i Lushtakut vjen në kuadër të përplasjeve të vazhdueshme politike mes zyrtarëve të opozitës dhe eksponentëve të Lëvizjes Vetëvendosje në rrjetet sociale dhe në deklaratat publike./Telegrafi.