Kryetari i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, po merr pjesë në Forumin e Lidershipit të organizuar nga Komisioni i Kongresit Amerikan për Partneritet në Zhvillimin e Demokracisë.

Kështu ka bërë të ditur LDK përmes një njoftimi për media.

“Ky forum ka mbledhur në Washington DC parlamentarë nga rreth 18 parlamente të botës, ku bashkë me kongresistë amerikanë po diskutojnë për avancimin e parimeve demokratike në botë.

Gjatë ditës së djeshme, Hoti ka qenë njëri nga folësit në panelin lidhur me përfshirjen e rinisë në jetën parlamentare dhe në politikë në përgjithësi.

Në fjalën e tij Hoti theksoi se: “Përfshirja e rinisë në politikë, është kyçe për të siguruar se politika i adreson nevojat e tyre. Kjo përfshirje bëhet edhe më e rëndësishme në vendet si Kosova, ku popullsia është shumë e re dhe rreth 1/4 e popullsisë është në arsim.

Në shumicën e vendeve, politika ka ndryshuar ngadalë karshi nevojave të të rinjve. Si rezultat, shumë të rinj vendosin të migrojnë dhe kjo është duke na kushtuar si shoqëri”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Hoti shtoi se Kuvendi i Kosovës ka themeluar Grupin e Deputetëve të Rinj me deputetë nga të gjitha grupet parlamentare, që kryesohet nga deputeti Rekaliu, nga radhët e GP LDK, dhe me gjithë vështirësitë, ky grup i deputetëve kanë përgatitur një plan pune, i cili është diskutuar me rininë dhe me OJQ, është aktiv në takime me të rinj, si dhe ka propozuar një rezolutë e cila i kërkon ekzekutivit të merret me disa çështje specifike për të adresuar nevojat e të rinjve në arsim, punësim, biznes etj. Sidoqoftë, në vendet si Kosova, sfidat e rinisë janë në fakt sfida të gjithë shoqërisë. /Telegrafi/