LAJMI I FUNDIT:

Asgjë nuk do ta preki MAFIA-n e futbollit!

Asgjë nuk do ta preki MAFIA-n e futbollit!

Ben Andoni

Mjafton të kujtosh dhe të gjykosh historinë e shumicës së presidentëve të ekipeve shqiptare dhe e kupton historinë e fundit me akuzat dhe vetë fabulën e “Skënderbeut”.


Edhe pa sjellë relacionin UEFA, cilido e kupton në Shqipëri se në çfarë niveli dhe në çfarë duarsh ka rënë sporti më i dashur i shqiptarëve. Dhe, paradoksi është se askujt, nuk do t’i hyjë as gjembi në këmbë, sepse tentakulat janë shumë të thella. Këtë e kupton që nga Asambleja e Futbollit, por edhe përsëritjen e përvitshme të akuzave për trukime.

Dhe, shumë më tepër, këtë e kupton se sot mund t’i kundrosh në shoqëritë e presidentëve shumë nga politikanët e ditës, që bëjnë të paditurin edhe me atë që po ndodh në orët e fundit me Skënderbeun, ashtu si e kupton nga heshtja e shumë aktorëve të drejtësisë që duhet të ishin aktivë për akuzat mbi ekipin.

Por kupton realisht edhe pamundësinë e dënimit, kur gjykon se pakkush do t’ia dijë sot për mbarëvajtjen e sportit. Superliga shqiptare i zhvillon ndeshjet e kampionatit me shkallët e stadiumit bosh, përveç derbit të Tiranës ose vitet e fundit Skënderbeu­Partizani, që më shumë janë duele urrejtje sesa ndeshje sportive.

E kupton nga gjyqet që kanë shumë nga lojtarët se sporti i futbollit nuk është më i vetes, por i marifetçinjëve, që kanë futur turinjtë në privatizime dhe kudo, mbuluar përgjithnjë nga politika. Në këto orë që kanë rrjedhur pas akuzës ndaj Skënderbeut ka pasur me dhjetëra mendime, por të gjitha bashkë s’kanë shërbyer që kryeprokurori i vendit Llalla të ndërmarrë ndonjë hap.

Ndërkohë që futbolli në këtë rast ka treguar një nga kokat e shumta që MAFIA ka mbi jetën politiko­shoqërore­ekonomike të vendit. Ajo komandon ekipet, ndeshjet, gjithçka, duke na bërë më të turpshëm sesa jemi. Dhe, ironia është se të dy palët e politikës heshtin, duke ia lënë topin në derë prokurorisë.

MAFIA shqiptare e futbollit, ashtu si edhe në rastin e fundit, është e paprekur sepse tashmë është e pasur dhe mbi të gjitha autonome, aq sa të komandojë me të gjitha levat e saj të gjithë proceset dhe madje t’ia mbyllë gojën dhe vetë prokurorisë. Kaq të mjafton të kuptosh se në çfarë duarsh është vendi…dhe e ardhmja e sportit tonë.