Arsenali ka në mendje një objektiv për sezonin e ardhshëm dhe ai është transferimi i Julian Alvarez.

Sulmuesi argjentinas i Atletico Madridit është shndërruar në obsesionin taktik të “Topçinvje” për të udhëhequr projektin e tyre ambicioz sportiv.


Megjithatë, operacioni nuk do të jetë as i lehtë e as i lirë, pasi Atletico e ka vlerësuar yllin e saj rreth 150 milionë euro.

Për të arritur këtë shifër “astronomike”, klubi londinez ka identifikuar pesë anëtarë të skuadrës aktuale që mund të shiten në këtë afat kalimtar veror.

Lojtarë të rëndësishëm si Gabriel Jesus, Gabriel Martinelli dhe Ben White kryesojnë listën e largimeve, me synimin për të mbledhur fondet e nevojshme. Qëllimi është i qartë, të sakrifikohet thellësia e skuadrës dhe disa “pjesë historike” për të bërë një hap cilësor vendimtar në repartin ofensiv.

Arsenali e di se, për ta bindur kampionin e botës, duhet të paraqesë një ofertë ekonomike të parezistueshme dhe t’i garantojë rol kryesor.

Për këtë arsye, drejtuesit e klubit e kanë vlerësuar Myles Lewis-Skelly rreth 60 milionë euro, duke nxitur tashmë interesin e klubeve si Chelsea.

Mbrojtësi i krahut dhe mesfushori i gjithanshëm 19-vjeçar është një nga “xhevahirët” që mund të sjellë kapitalin më të madh në këtë operacion të komplikuar të afatit kalimtar.

Në të njëjtën linjë, edhe emri i Ethan Nwaneri, aktualisht i huazuar te Marseille, pritet të largohet, me një vlerë të përafërt rreth 50 milionë euro.

Këto talente në ngritje konsiderohen si “çelësat” që mund t’i hapin Arsenalit derën për një transferim që do ta ndryshonte rrënjësisht lojën e ekipit.

Alvarez do të sillte instinktin e një sulmuesi “grabitqar” që ekipit i ka munguar në momentet më kritike të sezonit./Telegrafi/

telegrafi sport app