Arteta: PSG dhe Bayerni janë “në botë tjetër” nga Arsenali, ndeshja e tyre ishte më e mira që kam parë

Mikel Arteta ka deklaruar se Paris Saint-Germain dhe Bayern Munich janë “në botë tjetër” krahasuar me Arsenalin, teksa ka komentuar gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve dhe ka lavdëruar në maksimum spektaklin mes dy gjigantëve evropianë.
Arsenali ndodhet në barazim 1-1 pas ndeshjes së parë gjysmëfinale ndaj Atletico Madrid, e zhvilluar të mërkurën në “Riyadh Air Metropolitano”, ku dy skuadrat u ndanë me nga një gol pas një sfide të fortë dhe të luftuar.
Ndërkohë, vetëm 24 orë më herët, PSG mposhti Bayern Munich me rezultat 5-4 në “Parkun e Princave”, në një duel dramatik që barazoi rekordin si gjysmëfinalja me më së shumti gola në historinë e Ligës së Kampionëve – rekord që daton nga sezoni 1959/60, kur Eintracht Frankfurt kishte fituar 6-3 ndaj Rangers.
Duke folur për media, Arteta e cilësoi përballjen PSG–Bayern si “ndeshjen më të mirë” që ka parë ndonjëherë, duke theksuar cilësinë kolektive dhe individuale të lojtarëve.
“Bayern–PSG është ndoshta ndeshja më e mirë që kam parë ndonjëherë për sa i përket cilësisë së dy ekipeve, dhe sidomos cilësisë individuale që lojtarët sjellin”.

“Nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Por kur shoh numrin e minutave dhe freskinë e atyre lojtarëve, atëherë nuk çuditem”.
Trajneri i Arsenalit sugjeroi se dallimi mes dy gjysmëfinaleve lidhet kryesisht me “freskinë” dhe ngarkesën e lojtarëve, duke e lidhur këtë edhe me ritmin e kampionateve ku garojnë skuadrat.
“Për të dhënë ato momente cilësie, duhet të jesh shumë i freskët, dhe ndryshimi mes ligave dhe mënyrës si ato garojnë është si nata me ditën… mjafton të shihni disa statistika që kanë qarkulluar së fundmi”.
“Ne po garojmë në dy botë të ndryshme, ndaj nuk mund të krahasosh pa e vendosur në kontekst. Nuk mendoj se është e drejtë”, shtoi ai./Telegrafi/



















































