ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Arsenali është pranë kompletimit të transferimit të portierit francez Illan Meslier, i cili do t’i bashkohet klubit londinez si lojtar i lirë pas përfundimit të kontratës së tij me Leeds United.

Sipas “The Athletic”, 26-vjeçari do të transferohet në "Emirates Stadium" pasi të kryejë me sukses kontrollet mjekësore. Ai do të bëhet përforcimi i dytë i përhershëm i Arsenalit këtë verë, pas aktivizimit të klauzolës për blerjen përfundimtare të Piero Hincapies nga Bayer Leverkuseni.


Meslier kaloi shtatë vite te Leeds United, ku për gjashtë sezone ishte portieri titullar dhe ndihmoi klubin të siguronte dy promovime. Ai gjithashtu numëron mbi 100 paraqitje në Ligën Premier.

Megjithatë, sezoni 2025/26 ishte zhgënjyes për francezin. Karl Darlow mori vendin e titullarit, ndërsa Meslier nuk zhvilloi asnjë minutë me ekipin e parë, duke luajtur vetëm me skuadrën U21 të Leedsit.

David Raya pritet të mbetet portieri i parë i Arsenalit edhe për sezonin e ardhshëm, por ardhja e Meslier i jep Mikel Artetas më shumë alternativa në repartin e portës.

Raportimet bëjnë të ditur se transferimi i Meslier mund t’i hapë rrugën huazimit të portierit të ri anglez Tommy Setford, i cili konsiderohet një talent premtues, por klubi beson se ka nevojë për më shumë minuta në një nivel më konkurrues.

Ndërkohë, Kepa Arrizabalaga është aktualisht zëvendësuesi i Rayas, por pavarësisht se ka edhe dy vite kontratë, thuhet se ai mund të largohet në kërkim të një roli si portier titullar te një klub tjetër.

Fillimisht, Meslier pritet të jetë zgjedhja e tretë në portë, por në rast të largimit të Kepas, ai mund të ngjitet në rolin e portierit të dytë të Arsenalit për sezonin 2026/27.

Edhe pse karriera e tij nuk u zhvillua ashtu siç pritej kur shpërtheu te Leeds United, Arsenali beson se përvoja e francezit dhe fakti që transferohet pa dëmshpërblim e bëjnë këtë një lëvizje me vlerë për skuadrën e Mikel Artetas./Telegrafi/

telegrafi sport app