Arsenali përgatit mbi 250 milionë euro për dy transferime bombastike


Arsenali ka përgatitur një plan ambicioz me një buxhet prej rreth 293 milionë eurosh për afatin kalimtar të verës, me synimin për të finalizuar transferimet e Morgan Rogers dhe Bruno Guimaraes, dy përforcime madhore të kërkuara nga trajneri Mikel Arteta.
Sipas planit të drejtuesve të "Topçinjve", rreth 153 milionë euro janë parashikuar për të bindur Aston Villan të lejojë largimin e talentit të saj, Morgan Rogers, ndërsa rreth 141 milionë euro do të shpenzohen për të siguruar shërbimet e mesfushorit brazilian Bruno Guimaraes nga Newcastle United.
Ky investim i madh synon një ristrukturim të plotë të mesfushës së Arsenalit, me objektivin për të ndërtuar një skuadër të aftë të luftojë për të gjithë trofetë në sezonin 2026/27 dhe për të krijuar një identitet të ri taktik.
Guimaraes, 28 vjeç, konsiderohet një mundësi ideale në treg për klubin londinez, pasi i ka bërë të ditur zyrtarisht drejtuesve të Newcastle United dëshirën e tij për t'u larguar nga klubi gjatë kësaj vere.
Mesfushori brazilian zhvilloi një sezon shumë të mirë me skuadrën nga veriu i Anglisë, duke regjistruar nëntë gola dhe tetë asistime në 41 ndeshje zyrtare.

Ndërkohë, Arsenali e konsideron të justifikuar vlerësimin prej rreth 153 milionë eurosh për Morgan Rogers, duke pasur parasysh zhvillimin e jashtëzakonshëm që 23-vjeçari ka treguar në vitet e fundit.
Mesfushori anglez ishte një nga shtyllat kryesore të Aston Villas nën drejtimin e Unai Emeryt, duke luajtur rol vendimtar në suksesin evropian të skuadrës sezonin e kaluar, kur klubi fitoi trofeun e Ligës së Evropës.
Në sezonin 2025/26, Rogers regjistroi 14 gola dhe 12 asistime në 55 paraqitje zyrtare, ndërsa së fundmi rinovoi kontratën me Aston Villan deri në verën e vitit 2031, duke i dhënë klubit një pozicion shumë të fortë në negociata dhe mundësinë për të kërkuar shumën e plotë të vendosur për kartonin e tij./Telegrafi/







































