LAJMI I FUNDIT:

Arrestohet 63-vjeçari në Malishevë, në shtëpi iu gjetën armë e fishekë

Arrestohet 63-vjeçari në Malishevë, në shtëpi iu gjetën armë e fishekë

Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar një 63-vjeçar në Vermicë të Malishevës, pasi në vendbanimin e tij janë gjetur armë pa leje.

Sipas njoftimit, Stacioni Policor në Malishevë derisa ishin duke hetuar dhe trajtuar një rast për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, kanë arritur të sigurojnë informacion se i dyshuari N. G., posedonte armë në mënyrë të paautorizuar.


“Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit të lëshuar nga Gjykata, në vendbanimin e të dyshuarit në fshatin Vermicë-Malishevë, janë gjetur një pushkë automatike (mitraloz), një pushkë gjuetie dhe 38 copë fishekë të cilat i dyshuari i posedonte në mënyrë të paautorizuar”, thuhet në njoftimin për media.

Armët dhe municioni janë konfiskuar si prova materiale, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit (në koordinim me të cilin janë ndërmarr të gjitha veprimet), i dyshuari është ndaluar në mbajtje për 48 orë dhe është iniciuar rast “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Përdorim i armës”. /Telegrafi/