Dy të arrestuar për vrasjen e para katër viteve në Lipjan, sekuestrohen dokumente të falsifikuara për fshehjen e identitetit

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona për vrasje të rëndë, dhënie e ndihmës kryesit, posedim i paautorizuar i armëve dhe falsifikim të dokumenteve.
Policia njofton se arrestimi ka të bëjë me rastin e vitit 2022 në Lipjan.
“Lipjan 05.08.2022 –23:30. Lidhur me rastin me 15.04.2026 njësitë relevante policore kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë dy të dyshuar meshkuj kosovarë”, thuhet në raport.
Policia njofton se gjatë bastisjes në banesën ku kanë qenë të dyshuarit janë gjetur dhe janë konfiskuar dy pistoleta dhe fishekë të kalibrave të ndryshëm, dokumente të ndryshme që dyshohet të jenë të falsifikuar që i kanë përdorur të dyshuarit për fshehjen e identitetit dhe mashtrime të qytetarëve, si dhe një sasi e substancave narkotike për të cilat është hapur rast i veçantë nga njësia policore për hetimin e narkotikëve.
Dy të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë. Rasti është duke u hetuar.
Ndryshe, më 5 gusht 2022 një person është vrarë në Lipjan dhe dy të tjerë ishin plagosur. Vrasja kishte ndodhur pas një konflikti verbal dhe fizik. /Telegrafi/






















































