Portieri i Kombëtares së Kosovës, Arijanet Muric, mund ta vazhdojë karrierën në elitën e futbollit spanjoll, pasi klubi i njohur spanjoll Valencia ka shfaqur interes serioz për shërbimet e tij.

Mediumi spanjoll “Cadena Ser” raporton se Valencia po shqyrton mundësinë e transferimit të Muricit gjatë afatit kalimtar veror, teksa klubi kërkon një portier me përvojë dhe kosto më të përballueshme financiare.


Sipas raportimeve, drejtuesit e Valencias e shohin reprezentuesin kosovar si një alternativë më të favorshme krahasuar me portierin spanjoll Julen Agirrezabala, për të cilin do të nevojitej një investim më i madh ekonomik.

Vetë Murici të mërkurën konfirmoi se nuk do të vazhdojë te Sassuolo, skuadër ku ishte i huazuar sezonin e kaluar.

Megjithëse ai ka kontratë me Ipswich Town deri në vitin 2028, mediat britanike raportojnë se rikthimi i tij në klubin anglez nuk është në planet e trajnerit për sezonin e ri.

26-vjeçari kishte paraqitje të mira gjatë aventurës së tij në Itali, duke rikthyer formën dhe besimin pas periudhave të vështira në futbollin anglez.

Performancat e tij kanë tërhequr vëmendjen e disa klubeve evropiane, ndërsa Valencia mbetet një nga ekipet më të interesuara për transferimin e tij.

Kalimi në La Liga do të ishte një hap i rëndësishëm në karrierën e Muricit, i cili synon të mbetet portieri kryesor i Kosovës edhe në ciklin e ardhshëm kualifikues. /Telegrafi/

telegrafi sport app