Arijanet Muric pritet të rikthehet te Ipswich Town kur të përfundojë huazimi i tij te Sassuolo në Serie A.

Vera e kaluar e çoi atë në Itali, me Sassuolon që e mori në huazim me opsion blerjeje në fund të sezonit për 10 milionë euro.


Muric la përshtypje me paraqitjet e tij, veçanërisht në barazimin 1:1 ndaj Juventusit, ku priti një penallti në minutat e fundit.

Deri më tani, ai ka luajtur 32 ndeshje dhe ka mbajtur gjashtë herë portën e paprekur.

Megjithatë, Muric tani ka konfirmuar se synon të largohet nga Sassuolo pas dy ndeshjeve të fundit të kampionatit ndaj Lecces dhe Parmas.

27-vjeçari ishte lënë në stol për tri ndeshje radhazi, para se të rikthehej në formacion në duelin ndaj Torinos të premten e kaluar.

“Jam mirënjohës për këtë sezon, por nuk kam ndërmend të luaj për Sassuolon sezonin e ardhshëm. Me përfundimin e huazimit, përfundon edhe koha ime këtu”.

“Ishte një vit pozitiv dhe e shijova, por e kam njoftuar klubin se nuk dua të qëndroj këtu pas këtij sezoni, për arsye personale”, ka thënë portieri kosovar për Gianluca Di Marzion.

Pritet gjithashtu që Muric të largohet edhe nga Ipswich këtë verë. Juventus ishte përmendur më herët gjatë sezonit si një nga klubet e interesuara./Telegrafi/

telegrafi sport app