LAJMI I FUNDIT:

Arapi drejt transferimit te Anatalyaspori

Arapi drejt transferimit te Anatalyaspori

Renato Arapi është ndër lojtarët më cilësorë që aktualisht nuk ka nënshkruar me asnjë klub.

Durrsaku i dha fund aventurës me klubin turk të Bolusporit, ku u aktivizua për dy sezone, madje duke qenë një ndër më të mirët në edicionin e fundit.


Përfaqësuesi i tij prej kohësh është në bisedime me disa klube në Turqi , madje ka gjetur gjuhën e përbashkët me dy ekipe të Ligës së dytë, megjithatë duket se e ardhmja e 32-vjeçarit do të jetë në Superligën e Turqisë.

Antaliaspori ka shfaqur interes për mbrojtësin dhe negociatat janë në një fazë mjaft të avancuar, aq sa akordi është shumë pranë. Klubi nga qyteti i njohur turistik nuk kërkon më të shpenzojë shifra të larta dhe ka ndërmarrë një fushatë merkatoje të qetë dhe të moderuar, shkruan Supersport.

Sezonin e shkuar “akrepat” arritën të siguronin qëndrimin në Superligë vetëm në javët e fundit. Kujtojmë që tek Antalyaspori u aktivizua për 3 vite i mirënjohuri Samuel Eto’o, përpara se në Janar të këtij viti të transferohej te Koniaspor.

Trajneri aktual i bardhekuqve, ish-lojtari i Galatasaray-t dhe i kombëtares së Turqisë, Bulent Korkmaz, ka dhënë aprovimin e tij për afrimin e Arapit, i cili në sezonet e fundit është aktivizuar në qendër të mbrojtjes, ndërkohë që vetë futbollisti shqiptar është i gatshëm të pranojë të njëjtën pagë që përfitonte tek Boluspori vetëm e vetëm për të provuar për herë të parë një aventurë në Superligën Turke.

Për 32-vjeçarin janë interesuar së fundmi dhe Partizani e Flamurtari.