LAJMI I FUNDIT:

Anulimi i “Sunny Hill” në Prishtinë – reagimet, zhgënjimet e gjithçka tjetër që u raportua rreth zhvendosjes së Festivalit në Tiranë

Anulimi i “Sunny Hill” në Prishtinë – reagimet, zhgënjimet e gjithçka tjetër që u raportua rreth zhvendosjes së Festivalit në Tiranë

Ngjarja më e madhe kulturore në vend “Sunny Hill Festival” për dy vite radhazi u mbajt në Prishtinë, në 2018 dhe 2019.

Por, ditën e djeshme (e martë) u konfirmua se festivali do të anulohet në Kosovë dhe se do të zhvendoset në Tiranë, në atë që do të rikthehej me edicionin e tretë pas dy vitesh pauzë për shkak të pandemisë.


E gjitha u tha për shkak të zvarritjes së përgjigjes nga Ministria e Administrimit Publik për dhënien e pronës.

Lajmi fillimisht u konfirmua nga themeluesi i “Sunny Hill Festival”, Dukagjin Lipa, në një postim të bërë në rrjete sociale drejtuar krerëve të shtetit.

Anulohet "Sunny Hill Festival 2022" në Prishtinë - zhvendoset në Tiranë
Lexo po ashtu Anulohet "Sunny Hill Festival 2022" në Prishtinë - zhvendoset në Tiranë

Më pas, lajmi u shpërnda edhe në faqen zyrtare të “Sunny Hill” me të njëjtat data e artistë, por me lokacion të ndryshuar.

Letra e plotë e Dukagjin Lipës drejtuar krerëve të shtetit:

“Të dashur miq,

Kjo është letra të cilën e kam shkruar me veshtirësi të madhe e me shumë zemër të rëndë por dërgesa e së njejtës ka qenë e paevitueshme.

Pas pritjeve, tentimeve, lutjeve e kërkesave, pas votimeve unanime dhe atyre të plotfuqishme prap e gjetem veten peng i politikbërjës në kurriz të festivalit dhe të rinjëve të Kosovës.
Vendimi ishte i vështire por i domosdoshëm.

Presim ditë më të mira e rikthim sa më të shpejtë në Prishtinë.

—————

E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu,

I nderuari Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti,

Të nderuar ministra Krasniqi dhe Çeku,

E nderuara ministre Gërvalla-Schwarz,

I nderuari Kryetar i Prishtinës, zt. Përparim Rama,

Me anë të këtij njoftimi, me keqardhje dhe dëshpërim të madh, ju lajmërojmë se për shkak të vonesave të shumta të shkaktuara nga mungesa e përgjigjes dhe vendimit përfundimtar për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin, nga ana e MAPL, edicioni i këtij viti i festivalit Sunny Hill nuk do të mund të mbahet në Prishtinë.

Edhe pse jemi duke hyrë në vitin e tretë të pritjes për përgjigje përfundimtare dhe finalizim të procesit për përcaktimin dhe dhënien e një hapësirë në shfrytëzim për masovizim të platformës së festivalit, për të krijuar një ekosistem të gjerë përfitues për interesat strategjike të shtetit tonë në mbarë botën, gjithë kjo kohë ka qenë e pamjaftueshme për institucionet relevante për marrjen e një vendimi përfundimtar, i cili do t’ia lejonte festivalit Sunny Hill përgatitjet e domosdoshme për mbajtjen e një edicioni dinjitoz në Prishtinë.

Në vend të përkrahjes, kërkesa e festivalit është politizuar, janë tejkaluar të gjitha afatet ligjore dhe kompentencat e MAPL mbi Komunën e Prishtinës, është injoruar vendimi i shumicës së Kuvendit Komunal, është ushtruar ndikim i paralajmëruar direkt mbi MAPL nga ana e asambleistëve të opozitës komunale, dhe për pasojë ne edhe sot, pas gjithë kësaj kohe, nuk e kemi një vendim final i cili do të na mundësonte mbajtjen e festivalit në Prishtinë.

Sa për sqarim, kërkesa identike, në fund të mandatit të kaluar komunal ishte votuar PRO unanimisht nga të gjithë asambleistët pa dallim partiak, por tani është rikthyer për plotësim, meqë ish-Kryetari Ahmeti nuk e kishte përgatitur dokumentacionin në formën e duhur.

Tani, kërkesa e njëjtë, edhe pse tërësisht e plotësuar sipas ligjit dhe konform kritereve të MAPL, u shndërrua në betejë politike mes partive në Kuvend Komunal, në kurriz të festivalit dhe dobisë që i njëjti e krijon për imazhin e shtetit dhe vlerave që ne si shoqëri i përfaqësojmë, përfshi edhe efektin direkt dhe zingjiror që festivali e krijon për ekonominë e kryeqytetit por edhe jehonën pozitive në mbarë botën, e cila në këtë periudhë është esenciale për vendin tonë.

Nevoja për fitore të vogla politike nga ana e asamblistëve komunal, fatkeqësisht mbeti mbi interesin e shtetit dhe mundësinë për rritjen e një platforme të rëndësishme të diplomacisë kulturore dhe turizmit kulturor.

Në letrën dërguar tek MAPL, Sunny Hill Festival ka treguar se nuk ka nevojë për pronë publike për 99 vjet. Ne nuk kemi nevojë për tokën e shtetit, por Prishtina ka nevojë për hapësirë e cila i plotëson kushtet e kërkuara nga performues të rangut botëror dhe Festivali ka nevojë për shtëpi të përhershme në qytetin e tij.

Meqë Prishtina nuk e ka një hapësire të tillë, ne kemi shprehur gatishmërinë që hapësirën e ndarë nga Komuna e Prishtinës, (tokë djerrinë dhe e pa përdorshme sot) të kthejmë në një PARK PUBLIK, të qasshëm për të gjithë qytetarët, para dhe pas përdorimit për nevojat e festivalit dhe nën mbikqyrjen e organizatës Sunny Hill.

Sunny Hill sjell disa prej emrave më të mëdhenj të muzikës botërore në Prishtinë, krijon publicitet masiv për vendin tonë në tërë botën (vlera e publicitetit ndërkombëtar të krijuar vetëm nga edicioni i fundit është llogaritur në vlerën prej 23 milionë eurove si dobi direkte për imazhin e shtetit), ka sjell deri në 10 (dhjetë) milionë euro për ekonominë e kryeqytetit, si dhe promovon vlerat më të mira të kulturës, muzikës dhe rinisë tonë nëpër botë. Për më shumë, me dhjetëra mijëra njerëz ose mbi 50 për qind të pjesëmarrësve në Sunny Hill Festival në çdo edicion kanë ardhur nga jashtë Kosovës, nga më shumë se 40 vende të ndryshme të botës.

Në çdo edicion të Sunny Hill Festival, të rinjtë tanë bashkë me moshatarët e tyre nga vende të ndryshme të botës vijnë në Prishtinë për të parë artistët e tyre të preferuar duke performuar në skenën më të madhe të muzikës në vendin tonë.

Efekti social, kulturor dhe ekonomik i festivalit është i pamohueshëm. Aq më shumë kur dihet madhësia e diasporës tonë nëpër botë dhe nevoja që ne si shtet dhe shoqëri kemi t’i krijojmë rinisë tonë jashtë vendit arsye shtesë për ta vizituar vendlindjen e tyre në baza të rregullta vjetore.

Ne kujdesemi që në çdo edicion, Sunny Hill të bëhet lajm pozitiv në mediat më relevante të botës (përfshirë shumë shtete të cilat ende nuk e kanë njohur shtetësinë e saj), dhe që nga edicioni i tij i parë festivali ynë është bërë sinonim i përpjekjeve perëndimore të Kosovës dhe demografisë së saj të re, si vlerë shumë domethënëse me të cilën përfaqësohemi ndërkombëtarisht.

Me Sunny Hill Festival, në Prishtinë krijohet një moment i ri kulturor, ku shteti më i ri në Evropë sjell emrat më të njohur të muzikës së kohës sonë, në kryeqytetin më të izoluar në Evropë.

Prishtina ishte nikoqire e disa prej emrave më të mëdhenj botëror të muzikës, duke përfshirë Miley Cyrus, Dua Lipa, Calvin Harris, Martin Garrix, Action Bronson, dhe dhjetëra artistë të huaj e vendorë të cilët bëhen bashkë, krijojnë sinergji dhe e bëjnë të mundur që Kosova të bëhet trend ditor global në dhjetëra shtete të ndryshme të botës.

Shteti ynë, Prishtina si kryeqytet dhe rinia e Kosovës, deri më tani janë shfaqur mbi 500 milionë herë gjithsejt në kanale digjitale, tek audiencat ndërkombëtare përmes Sunny Hill. Vetëm në edicionin e kaluar, janë publikuar mbi 557 artikuj pozitiv në mediat ndërkombëtare, përfshi edhe televizionet e ndryshme nacionale amerikane, të cilat shikohen nga qindra miliona njerëz në ditë në gjithë botën.

Në anën tjetër, në aspektin ekonomik bizneset e vogla dhe të mesme vendore prezantohen para një audience masive e cila ka kërkesë të jashtëzakonshme për konsumin e produkteve të tyre, dhe eksperiencë të re të konsumit vendor. Hotelet dhe bujtinat private plotësojnë 100 për qind të kapacitetit të tyre të dhomave dhe shërbimeve tjera të ofruara ndaj mysafirëve të cilët vijnë në Prishtinë dhe qytetet tjera përreth.

Meqenëse muzika i kapërcen krejt kufijtë, ne synojmë që vazhdimisht të ftojmë muzicientë dhe interpretues të njohur botërorë në Prishtinë, për të përmirësuar shkëmbimet dhe rrjetet ndërkulturore me artistët lokal. Aktivitetet kulturore të Kosovës rriten me festivalin, pasi artistët vendas shkëmbejnë kontakte me muzikantë e producentë të famshëm botëror, dhe krijojnë mundësi të reja bashkëpunimi dhe depërtimi në skenat e mëdha të muzikës botërore.

Angazhimi i grupeve të pakicave si dhe i njerëzve me prejardhje të ndryshme sociale dhe kulturore do të ndihmojë në krijimin e një mjedisi të larmishëm dhe gjithëpërfshirës. Në Sunny Hill Festival promovohen vlerat demokratike, duke qenë se vetë karakteri i festivalit po forcon demokratizimin e vendit përmes fuqisë së muzikës, kulturës dhe artit.

Misioni ynë është të evoluojmë më tej festivalin tonë, ta masivizojmë atë, në mënyrë që të bëhet simboli më i mirë përfaqësues i rinisë dhe kulturës së Kosovës, duke ri-modeluar imazhin e vendit tonë dhe vlerave që ne përfaqësojmë si shoqëri, dhe duke e bërë Prishtinën dhe Kosovën një ndër destinacionet kryesore në Evropë për muzikën moderne.

Qëllimi ynë është që të krijojmë një efekt pozitiv në shoqëri, duke shtuar vlerë të shumëfishtë përmes numrit të madh të vizitorëve, të rrisim të ardhurat në ekonominë e vendit si dhe aktivitetet turistike, nga të cilat shteti ynë, shoqëria jonë dhe bizneset vendase përfitojnë drejtpërdrejt.

Si platformë e madhe, e me ngritje të jashtëzakonshme, ne besojmë fuqishëm se misioni ynë është në përputhje të plotë me objektivat e institucioneve që ju drejtoni, prandaj kërkojmë mbështetjen e të gjitha institucioneve relevante të Republikës së Kosovës për finalizimin sa më të shpejtë të procesit të dhënies së hapësirës në shfrytëzim, në mënyrë që Sunny Hill Festival 2023 në vitin e ardhshëm të vazhdojë të mbahet edhe në Prishtinë, qytet të cilit edhe i takon.

Si ngjarje e veçantë, Sunny Hill Festival i sjell Kosovës më tepër vëmendje, publicitet masiv dhe vlerë të matshme pozitive nga të gjitha anët e botës se sa çdo projekt tjetër privat apo shtetëror që ndodh në Kosovë. Në këtë mes, nuk po llogaris aspak angazhimet e mia dhe të familjes sime për promovimin e shtetit, udhëheqësve të shtetit dhe rinisë dhe vlerave që i kemi.

Mbesim me shpresë që përgjigja jonë merr vëmendjen tuaj, në mënyrë që kredibiliteti i Festivalit dhe kredibiliteti im personal dhe i familjes sime të mos mbes në duart e asamblistëve që për betejat e tyre politike na vendosin në situata të këtilla jashtë çdo logjike te shëndoshë, dhe na sjellin deri tek humbja e mundësisë më të mirë të promovimit, diplomacisë dhe turizmit kulturor që e ka dhe mund ta kishte Kosova për një kohë shumë të gjatë.

Me nderime

Dukagjin Lipa

themelues dhe organizator i Sunny Hill Festival”.

Menjëherë pas publikimit të letrës, një reagim lidhur me këtë çështje e bëri edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Rama reagon për anulimin e "Sunny Hill": Dështimi i këtij festivali është humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën
Lexo po ashtu Rama reagon për anulimin e "Sunny Hill": Dështimi i këtij festivali është humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën

Rama theksoi se dështimi i këtij festivali është një humbje e madhe jo vetëm për Prishtinën, por për të gjithë Kosovën.

“Të nderuar qytetarë të Prishtinës,

Me keqardhje të madhe mora lajmin se Festivali prestigjioz, Sunny Hill, sivjet, nuk do të mbahet në Prishtinë.

Një vendim i tillë, i shkaktuar kryekëput nga zvarritjet e Qeverisë, do t’i shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm, në zhvillimin ekonomik dhe në imazhin e vet të përgjithshëm.

Dështimi i këtij festivali sivjet, është humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën.

Qeveria e Republikës së Kosovës duke e zvarritur procesin e vendimit të ligjshmërisë, ka tentuar të ndërhyjë në vullnetin dhe integritetin e asambleistëve shumicë të Kuvendit Komunal të Prishtinës, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit të Komunës dhe vullnetit të shumicës, e cila përfaqëson sovranin e kryeqytetit.

Ne presim që Qeveria të reflektojë dhe Sunny Hill Festival, t’i kthehet shtëpisë së vet, Prishtinës, dinjitetshëm, ashtu siç e meriton secili qytetar i kryeqytetit”, tha Rama në postimin e shpërndarë në Facebook.

Lajmit për anulimin e “Sunny Hill” duket se iu gëzua shefi i asamblistëve të LVV në Prishtinë, Gëzim Sveçla.

I njëjti tha se e ka mirëpritur heqjen dorë të “Sunny Hill” nga insistimi për 99 vjet pronë.

“Të dashur qytetarë,

Duhet ta mirëpresim heqjen dorë të Sunny Hill nga insistimi për 99 vjet pronë.

Tash çdo gjë është në rregull. Nuk ka arsye të braktiset Prishtina nga ky Festival, përveç nëse nuk është në pyetje ndonjë pazar tjetër, i mëhershëm.

Me respekt,

Gëzim Sveçla, shef i asamblistëve të LVV në Prishtinë”, theksoi Sveçla në postim.

Në anën tjetër, këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, e që njëherësh ishte e përfshirë në organizimin e “Sunny Hill” nuk dha ndonjë koment, përveçse konfirmoi raportimet për zhvendosjen e koncertit në Tiranë.

Kryeministri Rama pas zhvendosjes së “Sunny Hill” në Tiranë: Dua Lipa dhe të ftuarit e saj do të ndriçojnë netët e kryeqytetit me shkëlqimin e tyre
Lexo po ashtu Kryeministri Rama pas zhvendosjes së “Sunny Hill” në Tiranë: Dua Lipa dhe të ftuarit e saj do të ndriçojnë netët e kryeqytetit me shkëlqimin e tyre

Se “Sunny Hill” tashmë do të ketë një lokacion të ri e në një shtet tjetër u prit mjaft mirë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama si dhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Të njëjtit u shprehën të lumtur me lajmin se festivali do të jetë këtë vit në Tiranë, me arsyetimin se Kosova dhe Shqipëria janë një dhe se do të festojnë gjithmonë së bashku.

Postimi i Ramës:

“Lajm i mirë. Festivali “Sunny Hill” vjen në Tiranë, ku në javën e parë të gushtit Dua Lipa dhe të ftuarit e saj do të ndriçojnë netët e kryeqytetit me shkëlqimin e tyre. S’ka si Tirona jo”.

Postimi i Veliajt:

“Prishtinasit e kosovarët janë edhe tiranas, ne gëzime e sfida do të jemi bashkë si shqiptarë të mirë, sot në Tiranë nesër në Prishtinë, por gjithmonë një – gjithmonë bashkë”.

E në atë se ‘faji’ ishte te Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) në zvarritjen e dhënies së pronës, këta të fundit bënë një reagim.

MAPL tha se nga momenti i parë ka trajtuar me kujdes maksimal Vendimin e Komunës së Prishtinës për dhënien afatgjatë të pronës komunale në shfrytëzim.

MAPL: Sqarim lidhur me procesin e vlerësimit të vendimit lidhur me dhënien në shfrytëzim të pronës komunale “The Sunny Hill”
Lexo po ashtu MAPL: Sqarim lidhur me procesin e vlerësimit të vendimit lidhur me dhënien në shfrytëzim të pronës komunale “The Sunny Hill”

Ministria tutje shtoi se nuk e ka anuluar apo rikthyer në rishqyrtim këtë vendim, por ka kërkuar sqarim dhe dokumente shtesë të cilat mungojnë.

Sqarimi i MAPL-së lidhur me anulimin e “Sunny Hill”:

“Nisur nga fakti se institucionet lokale janë konstatuar me vonesë për shkak të procesit zgjedhor, MAPL në fillim të këtij viti ju ka mundësuar të gjitha komunave, përfshirë këtu edhe Prishtinën, shpalljen e listës së pronave që do të jepnin në shfrytëzim deri me 31 mars 2022. Në anën tjetër, vendimi për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale për “The Sunny Hill”, me procedurat e negocimit të Kryetarit të Komunës, është aprovuar nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës me 10.05.2022, ndërsa për shqyrtim të ligjshmërisë në Ministri është pranuar me datë 16.05.2022.

Ani pse lënda nuk ka qenë e kompletuar, duke vlerësuar edhe rëndësinë e një veprimtarie të tillë, MAPL në përputhje me kompetencat sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale për shqyrtimin administrativ të akteve të komunave ka kërkuar sqarime shtesë në lidhje me vendimin e Komunës së Prishtinës me theks të veçantë për kohëzgjatjen e dhënies në shfrytëzim dhe pjesën e parcelës prej 17 hektarësh, sa ishte kërkuar në shfrytëzim, një pjesë e së cilës ka statusin e tokës bujqësore. Përveç kësaj lënda kishte disa dokumente esenciale që mungonin në aplikacion për të cilat kërkuam po ashtu sqarime shtesë:

a) Projekti i paraqitur nga investitori dhe plani dinamik i realizimit të investimit;

b) qarkullimin bankar për vitin paraprak, ashtu siç është paraparë me nenin 23 të Rregullores (qrk) nr. 09/2020 për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës.

Duam po ashtu të theksojmë se për këtë akt dhe mënyrën e dhënies së pronës në shfrytëzim për 99 vite ne kemi pranuar reagime edhe nga organizata të shoqërisë civile të cilat kanë tërhequr vërejtjen pikërisht për mënyrën se si ishte proceduar me këtë proces. Megjithatë ne kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi të përkushtuar të trajtojmë me interes dhe seriozitet aktin në fjalë. Aktualisht Ministria jonë është në pritje të përgjigjes në pyetjet që i kemi dërguar Kryetarit të Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama.

Duke e ditur rëndësinë e cilitdo investim madhor dhe nevojës për projekte serioze dhe gjithnjë përmes procedurave siç parashohin ligjet dhe rregulloret, por edhe në përputhje me interesin dhe mënyrën e shfrytëzimit të pronës publike ju njoftojmë se jemi në proces të shqyrtimit të këtij akti dhe se nuk bëhet fjalë për anulim nga ana e ministrisë”.

Pas sqarimit nga ana e MAPL-së, një reagim në drejtim të tyre e ka bërë nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, duke ia hedhur fajin në këtë rast Qeverisë.

Sipas Sahatçiut, ajo tha se MAPL është duke mashtruar teksa vazhdoi: ““Pse heshti MAPL në propozimin e Sunny Hill për mos me marrë asnjë copë tokë vetëm ta ketë një hapësirë me infrastrukturë për festival si duhet që merr leje dhe e shfrytëzon 30 ditë?”.

Përveç gjithë kësaj, reagime në lidhje me zhvendosjen e “Sunny Hill Festival 2022” pati edhe nga disa politikanë të njohur.

Memli Krasniqi (Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës), Lumir Abdixhiku (Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës), Besnik Tahiri (Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës), Vlora Çitaku (Nënkryetare e PDK-së) dhe Lutfi Haziri (Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës) – kanë qenë disa nga politikanët të zhgënjyer për zhvendosjen e “Sunny Hill” në Tiranë duke shprehur pakënaqësitë e tyre në lidhje me Qeverinë e atë që është bërë për të ndërmarrë këtë veprim.

“Është e pabesueshme, dështim dhe sabotim i qëllimshëm”- politikanët reagojnë pas anulimit të “Sunny Hill Festival 2022” në Prishtinë
Lexo po ashtu “Është e pabesueshme, dështim dhe sabotim i qëllimshëm”- politikanët reagojnë pas anulimit të “Sunny Hill Festival 2022” në Prishtinë

Krejt në fund, një reagim nuk mungoi as nga Ministri i Kulturës, Rininë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Çeku tha që Ministria e Kulturës ka qenë në komunikim me bartësit e “Sunny Hill” për të ofruar gjithë mbështetjen për mbarëvajtjen e edicionit të sivjetmë të festivalit.

Ministri Çeku për anulimin e festivalit në Prishtinë: Nuk është e drejtë t’i dërgohet letër qeverisë, t’i kërkohet vendimmarrje e shpejtë për “Sunny Hill”
Lexo po ashtu Ministri Çeku për anulimin e festivalit në Prishtinë: Nuk është e drejtë t’i dërgohet letër qeverisë, t’i kërkohet vendimmarrje e shpejtë për “Sunny Hill”

Ai mes të tjerash tha që “Sunny Hill” do ta ketë derën e hapur dhe se Dua Lipa do të mirëpritet gjithmonë me dashuri në Kosovën e saj.

Postimi i plotë i ministrit Çeku (pa ndërhyrje):

“Kosova është dhe do të mbetet vend i organizimit të ngjarjeve rinore e argëtuese, të përmasave të vogla e të mëdha. Me ndihmën e qytetarëve, artistëve, bizneseve dhe shtetit.

Ministria e Kulturës ka qenë në komunikim me bartësit e Sunny Hill për të ofruar gjithë mbështetjen për mbarëvajtjen e edicionit të sivjetmë të festivalit. Para ca kohësh, edhe personalisht e kam kontaktuar Dukagjin Lipën me qëllimin e mirë që Ministria e Kulturës të shërbejë si pikë komunikimi për një mori kërkesash të tyre, nga siguria e infrastruktura deri tek mbështetja financiare e lehtësirat tatimore, çështje të cilat prekin disa ministri.

Një grup i përbërë nga zyrtarët e disa ministrive ka qenë duke i trajtuar këto kërkesa për të siguruar mbështetje për festivalin nga disa aspekte.

Motivi dhe angazhimi ynë institucional ka qenë i plotë, gjithnjë me synimin e përbashkët që Sunny Hill edhe sivjet të përçojë nëpër botë imazhe pozitive nga vendi ynë. Por, çka kemi me kursim në Kosovë, është toka. Nuk e ka të drejtën as kjo qeveri e as ndonjë qeveri tjetër, ta përdorë territorin e Kosovës pa i peshuar mirë kostot, përfitimet, pasojat, kohëzgjatjet në të cilat jepet në përdorim një tokë. Procesi i vendimmarrjes kërkon kohë për të qenë i plotë dhe për të mos qenë i gabuar apo abuziv. Nuk është e drejtë t’i dërgohet letër qeverisë ku t’i kërkohet vendimmarrje e shpejtë për Sunny Hill, dhe pas një kohe të shkurtë të shfaqet njoftimi se organizimi paska ndryshuar vendndodhje. Ky lloj presioni nuk lë kohë të mjaftueshme për t’u siguruar që vendimet institucionale do të ofrojnë mbrojtje të plotë të interesit publik, madje nuk lë kohë të shikohen as aspektet ligjore.

Megjithatë, ne e sigurojmë publikun rinor se në Kosovë nuk do të mungojnë ngjarjet e përmasave të ndryshme, me artistë vendorë e ndërkombëtarë. Edhe Sunny Hill gjithnjë do ta ketë derën hapur, për diskutime të qeta, e për marrëveshje transparente dhe pa presion.

E presim sa më shpejt në Kosovën e saj edhe Dua Lipën me dashuri e respekt të madh. Ajo ka kontribuar si artiste e si shqiptare në imazhin tonë ndërkombëtar. Asnjëherë nuk do të lejojmë që figura e saj të keqpërdoret apo të zbehet nga debate të politikës apo biznesit”.

Një ide për realizimin e “Sunny Hill” e ka dhënë edhe Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.

Grubi për festivalin “Sunny Hill”: Ideale do të ishte organizimi i përbashkët Shkup, Tiranë dhe Prishtinë
Lexo po ashtu Grubi për festivalin “Sunny Hill”: Ideale do të ishte organizimi i përbashkët Shkup, Tiranë dhe Prishtinë

Grubi tha që do të ishte ideale organizimi i këtij festivali mes kryeqyteteve: Prishtinë, Tiranë dhe Shkup.

“Sunny Hill Festival 2022” përndryshe do të mbahet në të njëjtat data edhe në Tiranë, më 4, 5 6 dhe 7 gusht 2022.

Për ata që kanë blerë biletat dhe që nuk mund të ndjekin festivalin në Tiranë u bë e ditur se do të mund të rimbursohen nga 1 deri më 15 korrik. /Telegrafi/

Në trend Magazina

Më shumë
“A do të martohesh me mua?” – Bardhi i propozon Sarës gjatë emisionit

“A do të martohesh me mua?” – Bardhi i propozon Sarës gjatë emisionit

Magazina
Bebe Rexha rrëzohet në skenë gjatë performancës në festivalin

Bebe Rexha rrëzohet në skenë gjatë performancës në festivalin "Coachella 2024"

Magazina
Ylli australian i TikTok-ut, Leah Halton tregon se si po e përballon famën e saj të re, pasi fitoi 700 milionë shikime për klipin 12-sekondësh

Ylli australian i TikTok-ut, Leah Halton tregon se si po e përballon famën e saj të re, pasi fitoi 700 milionë shikime për klipin 12-sekondësh

Magazina
Sara Gjordeni zbulon mallkimet tronditëse që mori për shtatzëninë, nga komentuesit kërcënues

Sara Gjordeni zbulon mallkimet tronditëse që mori për shtatzëninë, nga komentuesit kërcënues

Magazina
Stresi i kundërpërgjigjet Xhulit, e fton t'i marrë 30 mijë eurot e premtuara në BBVK - publikon edhe video të parave në tavolinë

Stresi i kundërpërgjigjet Xhulit, e fton t'i marrë 30 mijë eurot e premtuara në BBVK - publikon edhe video të parave në tavolinë

Magazina
U përfol për krisje të lidhjes së tyre: Graciano flet për herë të parë për raportin me Argjirën, pas rihyrjes në BBVA

U përfol për krisje të lidhjes së tyre: Graciano flet për herë të parë për raportin me Argjirën, pas rihyrjes në BBVA

Magazina
Kalo në kategori