LAJMI I FUNDIT:

Ankandi Solar 100MW, Kurti: Jemi në vijë të drejtë të një tranzicioni të nevojshëm energjetik

Ankandi Solar 100MW, Kurti: Jemi në vijë të drejtë të një tranzicioni të nevojshëm energjetik

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se Ankandi Solar 100MW do të shtojë përfitime sa i përket zvogëlimit të kostos si dhe do ta shtrojë rrugën drejt projekteve të ardhshme për energji të ripërtërishme.

Në konferencën e këtij ankandi, organizuar nga Ministria e Ekonomisë në bashkëpunim me USAID, Kurti tha se Kosova është në vijë të drejtë të një tranzicioni të nevojshëm energjetik.


“Ky potencial do të shtojë përfitime shtesë sa i përket zvogëlimit të kostos dhe do ta shtrojë rrugën drejt projekteve të ardhshme për energji të ripërtërishme. Jemi në vijë të drejtë të një tranzicioni të nevojshëm energjetik. Ky është një progres i gjelbër i prekshëm”, tha Kurti.

“Në strategji kemi përcaktuar planin për të siguruar mbi 200MW energji, për një të ardhme të mirë energjetike. Kosova do të jetë falënderuese për mbështetjet të vazhdueshme në ndërtimin e një ekonomie e me prosperitet”, shtoi ai.

Ndërsa, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha se ky ankand paraqet një hap të rëndësishëm të Kosovës në integrimin në Bashkim Evropian.

“Ky ankand paraqet edhe një hap të rëndësishëm në integrimin e Kosovës në BE. Përfshirja e sektorit privat është jetike për arritjen e qëllimeve për dekabornizim. Kosova është në pozitë të mirë rajonale, por kalimi energji të ripërtërishme do të kërkojë investime edhe nga sektori privat”, tha Hovenier.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se pavarësi energjetike është siguri për zhvillim.

“Pavarësia energjetike është siguri për zhvillim. Do të gjenerojmë edhe praktikat e reja. Investimet dhe puna që po bëjmë është garanci për zhvillim edhe të fuqisë punëtore që është e aftë të punojë në këtë sektor”, ka përfunduar Rizvanolli. /Telegrafi/